Filloi Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqipe

Kultura August 15, 2017 - 09:02

Prishtina do të jetë nikoqire e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe për herën e 36 me radhë.

Punimet e këtij seminari i hapi të hënën dekanja e Fakultetit Filologjik pranë Universitetit të Prishtinës, Lindita Rugova, e cila tha se seminaristët janë dëshmia më e mirë se asgjë nuk e ndryshon formimin e vazhdueshëm shkencor tërë jetësor të studiuesve të rinj nëpërmjet këtij institucioni dhe standardet e larta që ky seminar i ka vendosur tashmë.

“Një rrugëtim i vështirë, me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë, një tubim i lartë shkencor dhe kulturor që ka arritur të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm ndërkombëtar dhe me impakt të lartë në avancimin e shkencës dhe të kulturës, në zbërthimin e gërshetimit të gjuhëve e të kulturave të ndryshme me shqipen dhe avancimin e studimeve gjuhësore, letrare dhe kulturore të shqipes në shumë qendra botërore universitare. Falë miqve tanë, seminaristëve, albanologjia vazhdon të studiohet dhe të mësohet gjithandej në botë”, theksoi dekanja Rugova.

Ajo për më shumë i ka falënderuar seminaristë, profesorët e studentët nga universitete të mirënjohura evropiane, që kanë kontribuar në themelimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit të ndërsjellë me Universitetin e Prishtinës, me theks të veçantë në albanologji.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në emër të Qeverisë së Kosovës, e uroi fillimin e seminarit duke thënë se ky tashmë është shndërruar në një nga institucionet më prestigjioze për studimin e albanologjisë. Më tutje, ai ka thënë se ata do të përpiqen, së bashku me Republikën e Shqipërisë, që ta krijojnë një linjë të veçantë buxhetore për seminarin, duke e shndërruar kështu në ngjarje shtetërore.

“Ky seminar ka shërbyer për internacionalizimin e studimeve të albanologjisë në universitetet e botës dhe për ruajtjen e traditës dhe kulturës shqiptare në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët”, ka thënë ministri Bajrami.

Për t’i uruar organizatorët dhe seminaristët për nisjen e këtij edicioni në foltore u ngjit edhe kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Ismet Salihu, ndërkaq në emër të Akademisë së Shkencave, Artit dhe Kulturës, akademik Hivzi Islami, duke i uruar punë të mbarë seminarit Islami tha se seminari tashmë e ka krijuar dimensionin e vet si pjesë e pandashme e traditës dhe kulturës shqiptare.

“Seminaristët janë ambasadorët më të fuqishëm të Kosovës. Përçuesit më besnikë të vlerave të Kosovës dhe shqiptarëve”, theksoi akademik Islami.

Në këtë ceremoni të pranishëmve ju drejtua edhe drejtori i seminarit, profesori i Fakultetit Filologjik, Rrahman Paçarizi. Ky i fundit reflektoi për historikun e këtij seminari, foli edhe njëherë për rëndësinë e tij, falënderoi të pranishmit dhe theksoi interesimin e shtuar të pjesëmarrësve për sivjet.

“Ne jemi institucioni më i madh dhe me traditën më të gjatë në studimet albanologjike. Synojmë të mbetemi të tillë. Këtë nuk mund ta bëjmë pa mbështetjen e seminaristëve dhe studiuesve joshqiptarë, të cilët na kanë mbështetë publikisht. Dhe, sivjet ka pasur një numër rekord të të paraqiturve për ta mësuar shqipen, më shumë se 170 – mbështetje më e madhe nuk na duhet”, tha ai.

Paçarizi tregoi tutje se në këtë edicion do të marrin pjesë 150 studiues të albanologjisë si dhe rreth 100 studentë nga tërë bota. Sipas tij, duhet të theksohet interesimi i brezit të dytë e të tretë të mërgatës shqiptare me origjinë nga Kosova e Shqipëria për ta mësuar ose përmirësuar shqipen e tyre përmes këtij seminari.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974, pranë Fakultetit të Filologjisë, atëherë Fakultetit Filozofik, të Universitetit të Prishtinës. Ky seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e pesë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.