'Rikthimi i qytetit' diskutohet në kinemanë 'Jusuf Gërvalla'

Kultura August 11, 2017 - 10:59

Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Pejë, në kuadër të temës së sivjetshme “Rikthimi i Qytetit”, të edicionit të tetë të Festivalit ndërkombëtar të filmit të animuar “Anibar”, organizon ngjarjen e hapur për publikun në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”, ku synohet të prezantohet dhe diskutohet kjo temë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Përmes shfaqjes së një filmi të shkurtër, prezantimit të një harte të objekteve publike të pashfrytëzueshme në Pejë si dhe një debati të hapur publik, aktiviteti i parë i rikthimi i qytetit ka për qëllim të informojë dhe të eksplorojë bashkë me publikun të dyja: natyrën dhe peizazhin urban, të renë dhe të vjetrën, në mënyrë që të gjallërohet përdorimi i hapësirave të pajeta bashkërisht me gjithë komunitetin.

Diskutimi mbahet më datë 11 gusht në ora 18:00, në Kinemanë Kinema “Jusuf Gërvalla”.

Tashmë për vite, “Anibar” ka arritur një pozitë të dukshme në portofolin kulturor të Kosovës. Është bërë pothuajse një dekadë pune e palodhshme dhe përkushtimi ndaj rezistimit të pasivitetit kulturor dhe mungesës së llojllojshmërisë në arte dhe kulturë. Çdo vit, i bashkojmë të rinjtë dhe të moshuarit, nga Kosova dhe jashtë saj, për të festuar një komunitet të shumëllojshëm të regjisorëve, artistëve, e talenteve.