'Recollection' si dokumentim i nëntëdhjetave

Kultura August 11, 2017 - 10:55

Shumë prej nesh, të lindur në vitet 90-ta, apo pak më herët, me shumë gjasë kemi nëpër shtëpitë tona dhjetëra videokaseta me xhirime nga fëmijëria jonë. Pamje nga festat, recitime, apo xhirime enkas për të afërmit tanë jashtë shtetit. E regjisori Art Haxhijakupi ka zgjedhur që dokumentarin e tij 40 minutësh, “Recollection”, ta punojë pikërisht me këto materiale. Ai për të dokumentuar kohën e aparteidit në Kosovë ka përdorur arkivin e videokasetave të cilin e ruan nëna e tij, shkruan sot, gazeta Zeri.

Publiku i “DokuFest”-it u kthye mbrapa në kohë dhe u emocionua me pamjet e protestave të asaj kohe; nga lajmevt politike me udhëheqësit e ish-Jugosllavisë apo nga këngët ikonike si ato të Adelina Ismailit.

“Nëna ime e ka një arkiv të mrekullueshme të xhirimeve familjare prej vitit 1990 deri afër vitit 2002. Ekzistojnë diku mbi 150 videokaseta në kuadër të dhjetë viteve. Ka qenë shumë e vështirë me e përzgjedhë materialin e duhur që i përshtatet një periudhe të caktuar, e cila nuk ka qenë vetëm muzikë, jo detyrimisht një hare e fëmijëve, por edhe një formë e rezistencës kundër një aparteidi të madh që ka ndodhur ndaj shqiptarëve të Kosovës. Forma se si e kemi shprehur dhe se si jemi munduar ta gjejmë atë hare ka qenë në shtëpitë tona. Mirëpo hulumtimi dhe shtjellimi i arkivit familjar ka qenë në përgjithësi i vështirë, sepse ky film, që është 40 minutash, ka mundur të jetë edh 6 orësh, por doli kaq”, theksoi Haxhijakupi.

Duke reflektuar përvojat nga Kosova përmes perspektivës së një djali të 90’ve, “Recollection” është një dokumentar eksperimental që eksploron ndjenjat e autorit ndërmjet kujtesës individuale dhe kolektive, identitetit dhe betejës. Përmes një kolazhi të fotografive të familjes, bashkë me gjërat e përziera të kujtesës së pop kulturës, ky eksperiment feston udhëtimin kolektiv në një epokë të shtypjes dhe rezistencës. Në kryqëzimin ndërmjet dy realiteteve të ndryshme, ky video-tregim është i ndërtuar vetvetiu dhe thjesht si i tillë nuk përfundon kurrë.

Në qendër të tij “Recollection” ka shpesh fëmijët. Ata shihen duke recituar a kënduar në ambientet e shtëpive, këngë që s’ishin të rastësishme. Për Drenicën që po hynte në luftë apo këngën e fëmijës së lindur në mërgim. Besoj që shumicës nga publiku ju kujtua kënga “Unë jam shqipe nga Kosova/ e kam zemrën sa Rugova/ Jam e lindur në mërgim/por zemra më rrah për vendin tim”.

Fakti se sa më të kufizuara kanë qenë lojërat dhe argëtimi u erdhi shikuesve në kujtesë përmes një frekuence të video lojës së famshme “Super Mario”. Kurse përfshirja e ideologjisë në çdo gjë dhe censurimi i gjuhës shqipe u pasqyra përmes filmit vizatimor “Borëbardha” në gjuhën serbe.

“Arsyeja përse e kam përfshirë një pjesë goxha të gjatë të atij filmi vizatimor është se unë si fëmijë nuk kam pasur mundësi që të zbavitem me industrinë e kulturës përmes gjuhës time amtare, duke i përfshirë edhe rrethanat politike të asaj kohe. Ky film për mua ka qenë një traumë e vërtetë dhe përmes këtij dokumentari unë e rikthej një traumë, të cilës i janë nënshtruar fëmijët e Kosovës në atë kohë. Njëkohësisht përfshirja e Borbardhës është shumë intertekstuale që po besoj se i përshtatet edhe politikës së atëhershme”, kujtoi Haxhijakupi.

Ndonëse dokumentarin e ka nisur për dëshirën e tij dhe me një qasje emocionale, rrugës regjisori i ri ka kuptuar edhe më shumë rëndësinë e dokumentimit të kësaj periudhe.

“Unë e kam punuar një temë gjatë studimeve që ka pasur të bëjë me të kaluarën dhe njëkohësisht jam kapur me format e arkivave që ekzistojnë në Kosovë. Sa i përket viteve ’90, personalisht e kam kuptuar se arkivat më shumë ekzistojnë në familje sesa në institucione. Ideja, fillimisht ka qenë më shumë emocionale, më pas e kam kuptuar se në përgjithësi eksperienca e viteve ’90 është e neglizhuar në Kosovë dhe nuk merr vëmendje sa duhet qoftë nga politika qoftë nga artistët. Kam parë që shumë njerëz nga industria akademike merren shumë me Kosovën, qoftë me të kaluarën apo të tashmen. Prandaj ma mori mendja se është një mundësi e mirë pasi kam pasur një material të duhur për ta krijuar një film”, përfundoi ai.

Art Haxhijakupi është një artist dhe hulumtues nga Kosova. Ai më parë ka punuar në organizata të ndryshme në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Haxhijakupi ka diplomuar për Kulturë dhe Studime Kritike dhe Letërsi Angleze. Ai është vazhdimisht i interesuar për fenomenet kulturore në lidhje me Kosovën dhe Ballkanin, të cilat më parë nuk kanë tërhequr shumë vëmendje.