Të gjitha rrugët çojnë në 'DokuFest'

Kultura August 10, 2017 - 11:59

“E ardhmja është këtu”, “ E ardhmja nuk ka vdekur”, “E ardhmja është vajzë”, E ardhmja është dashuria ime”. Këto slogane kanë mbuluar qytetin e Prizrenit, përfshirë edhe muret e kalasë së lashtë, me të nisur për herë të 16-tën herë Festivali i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, “DokuFest”.

Festivali, që cilësohet si ngjarja më e rëndësishme kulturore në vend, ka mbledhur mysafirë jo vetëm nga Kosova, Shqipëria e rajoni, por edhe nga shumë vende perëndimore. Filmbërës, aktorë, përfaqësues festivalesh, studentë e artdashës kanë marr rrugën për në Prizren, ku i pret programi i filmave, punëtoritë, diskutimet e muzika.

Çaji vazhdon të shërbehet me të madhe në këtë qytet, por në grupet e njerëzve që mblidhen, diskutojnë e kalojnë kohë bashkë mbrëmjeve të “DokuFest”-it nuk mungojnë as birra e rakia, në ndejat rreth Çarshisë.

Për të parë diversitetin e njerëzve që kanë pushtuar Prizrenin, ju mund t’i hidhni një sy edhe fotografive të publikuara në faqen e Festivalit, në kuadër të projektit “Humans of DokuFest”.

Fotografja Nita Zeqiri ka zgjedhur të fokusojë në aparatin e saj njerëz të ndryshëm dhe të dëgjojë rrëfimet e tyre. Projektin e saj ajo po e realizon përmes fotografive dhe mendimeve të personazheve të saj.

“Ideja është t’i fotografoj dhe t’i dokumentoj njerëzit që janë pjesë e ‘DokuFestit’ në formë direkte dhe indirekte. T’i marr mendimet e tyre për të ardhmen që përkon edhe me temën e sivjetme të Festivalit”, tregon Zeqiri duke shtuar se personazhet e saj janë nga grupmosha, nacionalitet, e profesione të ndryshme.

“Njerëzit që vijnë në ‘DokuFest’ kanë gjithmonë të ndajnë diçka nga vetja, edhe në bazë të temave që trajton Festivali. Kjo më ka intriguar t’i dokumentoj njerëzit që vijnë në Prizren dhe bëhen pjesë e ‘DokuFest’-it, por edhe ata që jetojnë në Prizren”, thekson ajo, kur pyetet pse ka zgjedhur pikërisht këtë Festival për projektin e saj.

“Humans of DokuFest” ka gjasë që të kurorëzohet edhe me ndonjë prezantim tjetër në formë ekspozite, pas përfundimit të Festivalit, atëherë kur edhe ideatorja mund të reflektojë për punën e saj gjatë këtyre ditëve.

Në “DokuFest” takuam edhe Hanna dhe Axel Karlsson, të ardhur nga Norvegjia në Prizren, për të marrë pjesë në Festivalin për të cilin kanë dëgjuar shumë. Ata deklarojnë për Gazetën “Zëri” se nga këtu do të kthehen me përshtypje të mira.

“Miqtë tanë kanë qenë këtu vitin e kaluar dhe ne kemi dëgjuar shumë fjalë të mira për këtë Festival. Sivjet vendosëm të vizitojmë rivierën shqiptare për të bërë plazh dhe pastaj të kthehemi në ‘DokuFest’. Festivali po na duket i mrekullueshëm! Kjo ngjarje po lidhet aq bukur me këtë qytet të vjetër. Programit të pasur po i shtohet veçantia me kinematë e rralla. Dje shikuam një film lart te Kalaja dhe ishte vërtetë bukur dhe thjesht, diçka e pa përjetuar më parë”, tregon Hanna.

Edhe Agim Kastrati, shitës në Prizren, thotë për Gazetën “Zëri” se kjo periudhë e vitit e ndryshon komplet këtë qytet dhe ritmin e jetës.

“Si qytet me histori gjithmonë kemi pasur vizitorë, por edhe shumë bashkatdhetarë gjatë verës, mirëpo ‘DokuFest’-i është tjetër çështje. Javë para se të nis në Prizren shihet energjia e parapërgatitjeve, mbërritja e mysafirëve dhe rritja e numrit të njerëzve për shumë fish. Këtu vijnë njerëz nga vende të ndryshme, të afërta dhe të largëta. Prizrenasit kanë mundësi edhe t’iu ofrojnë shtëpitë e tyre me qira. Personalisht me pëlqen të bisedojë me vizitorët. Të huajt sidomos janë shumë kureshtarë për Lidhjen e Prizrenit, Kalanë e Shatërvanin. Mendoj se edhe ne i presim mjaft mirë, prandaj edhe shumë prej tyre kthehen këtu çdo vit”, thotë Kastrati.

Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara GAP, përfituesit kryesor nga ky Festival dhjetë ditor janë bizneset lokale në qytetin e Prizrenit, siç janë hotelet, qiradhënësit, restorantet, kafe-baret, shitësit ambulant, por edhe bizneset në nivel kombëtar, si avio-kompanitë, bankat dhe kompanitë e telekomunikacionit.

Ky Festival po ashtu njihet për krijimin e mundësive për punësim, krijimin e investimeve të reja, ngritjen e të hyrave tatimore, dhe stimulimin e ekonomisë lokale përmes turizmit.

Të dhënat thonë se këtë Festival e vizitojnë çdo vit më shumë se 15,000 pjesëmarrës.