Përse njeriu është kaq i kufizuar dhe konfuz?!

Kultura August 05, 2017 - 08:50

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë Entela Kasin, poete, romansiere, përkthyese dhe eseiste. Është autore e librave "Ëndërr e paemër", Tiranë 1992, "Koha e Kalit", Korçë 2000, "Muzg Pikëllimi" (shqip- anglisht), "Pasion dhe krim", roman, Vatra 2003, "Të korrat e krishtlindjeve", roman (ribotim) botimet PEN Albania, 2013. Poezia e saj është përfshirë në “Mbrëmjet Strugane të Poezisë” 2001 dhe 2002, si edhe nga “Festivali Ndërkombëtar i poezisë në Izmir”, i organizuar nga PEN International dhe PEN Qendra e Turqisë në vitin 2007, ku është lauruar me kupën e kristaltë të këtij festivali, midis poetëve të vitit. Është ftuar në aktivitet më të rëndësishme për letërsinë nga PEN International, dhe FIT, në Ballkan, Europë, SHBA, Azi, Afrikë, Kinë, Japoni dhe në Korenë e Jugut. Është përkthyer në maqedonisht, turqisht, anglisht, frëngjisht, arabisht,etj,

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Të pyeturit e vetes është një lloj bashkëbisedimi me veten për gjëra tepër të rëndësishme dhe thelbësore, të cilat lidhen me harmoninë dhe kuptimin e vetë jetës. Pyetjet janë sa të thjeshta po aq edhe të ndërlikuara, por  pyetja më e shpeshtë është pikërisht edhe retorika e vetë njerëzimit për dashurinë, harmoninë dhe bukurinë e jetës; fakti se për cilat arsye të fshehta njeriu mbetet gjithmonë një qenie e tronditur nga humbja e fuqisë së dashurisë për jetën? Cilat janë ato forca të errëta që e mbajnë peng njeriun në palumturi edhe errësirë, ndërsa bukuria e jetës qëndron pikërisht tek fuqia e dashurisë dhe harmonisë me gjithçka që e rrethon? Përse njeriu është kaq i kufizuar dhe konfuz?!

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Nëse të ecurit mund të quhet udhëtim brenda një dite të zakonshme, është pikërisht rituali i përditshmërisë, që fillon me gjëra të vogla, por me kuptim, si zgjimi, përmbushja e agjendës me aktivitetet e punës, takimet e gjëra të tjera si këto. Ndërsa koha e shkëputjes së plotë nga e zakonshmja e secilës ditë, është kur ulem për të shkruar. Kur jam në udhëtime, për arsye pune, apo për aktivitete letërsie në botë, gjithçka ndryshon nga veprimtaria të cilën duhet ta kryej. Ndërsa koha e të shkruarit nuk ndryshon asnjëherë…. 

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Librat e letërsisë shumë të mirë mbeten gjithmonë. Por midis tyre disa janë tepër të veçantë; ‘Don Kishoti’ i Servantesit, ‘Të mjerët “ e Hygoit,  ‘Idioti’ i Dostojevskit, “Procesi” i Franc Kafkës, “I Huaji” i Kamysë.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Identiteti i shoqërisë së sotme është ai i njeriut sipërfaqësor, të pushtuar prej dukshmërisë së sendeve të cilat posedon. Ka në të vërtetë një krizë morale të thellë, e cila shpërfaqet gjithandej. Po ashtu është krijuar një identitet i dyfishtë; nga njëra anë turma njerëzish që jetojnë ekonomikisht në mjerim, dhunë, kaos, e nga ana tjetër një grupim që jeton në mjerimin shpirtëror të kaosit, pavarësisht fuqisë ekonomike. Kjo është në fakt një krizë e humanitetit si gjendje, e cila ka shkaktuar jo vetëm krizën morale, por krizën humane të njeriut dhe shoqërisë të shekullit të XXI. E kuptoj gjithë këtë, por nuk lejoj që kjo krizë humane  e njeriut dhe shoqërisë së sotme të më ndryshojë apo të më përfshijë në kaosin e saj….

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Përafërsisht këtë që e thash në pyetjen para kësaj se përnjëmend kjo është një krizë e humanitetit si gjendje.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Kjo është një pyetje vërtete shumë e vështirë. Nëse unë do ju bëja të njëjtën pyetje besoj nuk do e kishit të thjeshtë të përgjigjeshit. Nëse I referohemi kulturës, veprave të bukura të artit të letërsisë, pikturës, muzikës, teatrit,  më duket sikur e shkuara ka mundur të sjellë kryevepra të letërsisë, muzikës, pikturës, artit. Historia e veprave të artit botëror është gati e papërsëritshme. Sinqerisht më duket sikur sot ka një lehtësi e mungesë peshe në art, një lloj boshi të çuditshëm, të cilin mbase do e tejkalojë një periudhë tjetër në të ardhmen, e cila mbase do ketë fuqi….sot për sot në aktualitet duket se ka një ndërprerje të zhvillimit të asaj që mund të quhet kultura e artit, ose ka një shmangie  nga bukuria dhe fuqia e artit të vërtetë dhe kulturës së madhe.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Da Vinçi- Darka e fundit, poezinë aq të fuqishme të Kipling, ’If’- NËSE,  Bob Dylan, - Knocking on the havens door, - Trokitje në derën e parajsës… Filmin "Odiesa",  luajtur nga Bekim Fehmiu.