E vërteta për monumentin e Skënderbeut në Prishtinë

Kultura August 04, 2017 - 09:48

Duhet të sqarohemi që në fillim, se ky nuk është shkrim historik apo ndonjë teori e thatë që tenton të njollosë historinë, por një vështrim, analizë rreth monumentit të Skënderbeut në Prishtinë, tek i cili çdo ditë gjej diçka tërheqëse dhe interesante. Pse heroi në atë monument është më i madh se kali, kur dihet që kali është më i madh se njeriu, në përmasat trupore. A paraqitet Skënderbeu si figurë legjendare? A duhet të jetë tokësor në raport me kalin? A është proporcionalisht i punuar gabim nga skulptori? A rriten qëllimisht përmasat apo përzihet ana mitike me atë reale të njeriut? Miti është mit dhe në vete nuk ruan ndonjë saktësi shkencore, kurse kalimi i Skënderbeut në figurën reale ashtu siç ishte kjo, është më e rëndësishme. Këtë e bëri profesori Oliver Jens Schmitt në librin e tij. Në libër Skënderbeu zbret nga lartësitë legjendare, bëhet  personazh tokësor.

Skulptura e Skënderbeut në Prishtinë, e punuar nga J. Paco në material bronzi si duket më shumë ka të bëjë me pjesën legjendare të tij sesa me atë të skulpturës realiste me përmasa të sakta, ngaqë kjo vihet në pah nëse bëjmë një matje të thjeshtë përmes njësive matëse të barabarta, lartësinë e kalit edhe lartësinë e trupit të Skënderbeut. Kuajt maten duke filluar nga pjesa ku qafa e tyre bashkohet me kurrizin, deri te patkonjtë, kurse njeriun nga pjesa e sipërme e kokës gjerë te gishtërinjtë e këmbës, vërejmë më të plotë dhe më të madh figurën e Skënderbeut sesa atë të kalit. Ana artistike proporcionale nuk është e saktë me përmasa reale.

Pyetja që me vije është se si ka mundësi udhëheqësit e asaj kohe të viti 2001 të mos vënë re një detaj të tillë, që në fakt nxjerr më të lartë Skënderbeun se kalin? Kuajt më të lartë të njohur deri më sot janë nga 210 cm, ndërsa ata të vegjël që quhen Poni 145-148 cm. Nëse kali i tij që 1.73 më i lartë siç mendohej, ka mundësi që Skënderbeu të jetë më i shkurtër, por jo shumë më i lartë se kali në imazhin e shtatores, ndonëse kjo na pëlqen të gjithëve ta parafytyrojmë. E vërteta është se njeriu nuk mund të jetë më i lartë se kali.

Monumenti i Skënderbeut në Prishtinë është kopje e atij në Krujë, i ulur në kalë, derisa kali ngritë këmbën e djathtë, po ashtu edhe Skënderbeu me dorën e djathtë mban shpatën, kokën e ka të kthyer kah armiku ngaqë përballet me një ushtri shumë më të madhe. Ndodhet i pa frikësuar në betejë.  Përveç që i jepet rëndësi figurës së Skënderbeut, duhet t’i jepet edhe figurës së  kalit, sepse kali përdoret si simbol që ka shoqëruar heroin. Barleti e thekson se kali qe i një race të zgjedhur dhe pas vdekjes së Skënderbeut nuk pranoi t’i hipte tjetër njëri, andaj dhe ngordhi.

Prej kohës rrjedh një dokument në qarqet e historianëve që flet jo saktë për gjatësinë e Skënderbeut.  Në letër, Skënderbeu i drejtohej Venedikut me fjalët: “Në lidhje me rrobat, që siç na është premtuar do të na jepen dy herë në vit, ju lutem të më dërgoni rroba të përshtatshme për trupin tim. Në tekst shkruan se “ Kjo do të thotë që Skënderbeu, duhet të ketë qenë rreth 2 metra i gjatë. E tëra kjo mbetet ende e pasaktë, por saktësia më e mirë është se njeriu asnjëherë s’mund të jetë më i lartë se një kalë, përjashtuar Ponin.