'DokuFest' shpalosi programin e edicionit të 16-të në Prishtinë

Kultura August 02, 2017 - 08:34

Siç tash e sa vite është bërë zakon, Festivali më i madh në vend, “DokuFest”, pak ditë para se të nisë edicionin e radhës, shpalosi në kryeqytet programin e këtij viti.

Nga Prizreni në Prishtinë erdhën drejtoresha Nita Deda, drejtori artistik Veton Nurkollari, drejtori ekzekutiv Eroll Bilibani dhe Samir Karahoda, të cilët treguan se çka i pret sivjet vizitorët nga 4 deri më 12 gusht.

“Ne jemi gati që të premten të fillojmë edicionin e 16-të të ‘DokuFest’-it, një edicion në të cilin kemi punuar hiç më pak se një vit, që nga përfundimi i edicionit të vitit të kaluar. Jemi shumë të kënaqur me atë se çka artistët do të prezantojnë në këtë edicion, jemi të kënaqur me përzgjedhjen e filmave, jo vetëm me numrin por edhe me cilësinë e filmave që vijnë nga Kosova, nga rajoni por edhe nga shqiptarët të cilët jetojnë jashtë Kosovës. Si çdo vit ne do të shfaqim filma në gjashtë kategori garues, ku kemi përzgjedhë 102 filma, ku do të ketë disa premiera dhe filma që vinë nga festivalet të mëdha botërore dhe fitues të çmimeve të ndryshme në festivale. E veçantë tjetër është se në këtë edicion ‘DokuFest’ paraqet një retrospektivë të punës së regjisorit britanik John Smith, duke shfaqur 21 filma të tij dhe duke ofruar një master-klasë me regjisorin’, bëri të ditur drejtori Nurkollari.

Në anën tjetër, më shumë rreth temës së këtij viti foli drejtoresha Nita Deda. Ajo prezantoi edhe programin muzikor “DokuNights” që këtë vit përfshinë zhanre të ndryshme, nga koncerti i reperit Ledri Vula, deri te kompozitori nga Shqipëria, Robert Bisha.

“Edicioni i 16-të i ‘DokuFest’-it, i cili këtë vit e ka në fokus temën e së ardhmes ‘Future’ ka një program shumë të gjerë, me mbi 230 filma të cilët janë përzgjedhur prej mijëra filmave sa kanë aplikuar për të qenë pjesë në ‘DokuFest’. Këtë vit festivali ka një program më të pasur edhe në muzikë, me koncertet që do të mbahen në parkun ‘Marash’, ku kisha veçuar koncertin e grupit ANDRRA. Festivali i përfshinë edhe fëmijët, duke shfaq filma për fëmijë dhe përmes punëtorive të ndryshme për fëmijë”, tha Deda.

Selektori i programit të filmave të shkurtër, Samir Karahoda, njoftoi për ndryshimet e bëra sivjet, ku festivali për herë të parë ka filluar të aplikoj pagesë për gjatë aplikimit të filmave garues, gjë kjo që ka ndikuar edhe në ngritjen e cilësisë së filmave.

“Vlen të përmendet që edhe cilësia e autorëve kombëtarë sivjet ka qenë e nivelit të jashtëzakonshëm duke i krahasuar me nivelet e viteve te kaluara, e sidomos autorët nga Shqipëria ku prej 13 filmave sa edhe janë në kategori garuese, 6 prej tyre janë të autorëve shqiptarë”, tha Karahoda.

Në fund, drejtori ekzekutiv, Eroll Bilibani, njoftoi për programet tjera të festivalit të cilat edhe mëtojnë të edukojnë gjithë pjesëmarrësit e festivalit.

“Ne në programet tona mundohemi që filmin ta përdorim si një medium për edukim në të gjitha nivelet e shkollave, pasi që misioni ynë është edukimi përmes filmit” tha ai.

Përmes punëtorive të ndryshme, “DokuFest” synon që të edukojë autorë të ndryshëm të rinj nga autorët më të mirë rreth realizimit të filmave.