'Raining Again' inspirimi i Natyra Kallabës

Kultura July 24, 2017 - 09:19

Këtë javë në rubrikën e rregullt të “Zërit”, të titulluar “Rrëfej përmes muzikës”, sjellim regjisoren Natyra Kallaba. Ajo këtë listë e nisë me muzikë qytetare, zhanër  të cilin siç tregon ajo, e ka dëgjuar qysh në vitet e para të jetës, në gjirin familjar. Si një adhuruese e muzikës e vallëzimit, këtë listë Kallaba e pasuron me këngë të paharruara.

Hafsa Zyberi - Të kam dashtë Ije

Këtë  këngë fatmirësisht vazhdoj ta dëgjoj ende, tek kjo më tërheq bukuria e çiltër  e dashurisë. Gjitha këto vargje të bëjnë të besosh që dashuria është një ndjenjë që duhet ta mbash fort, ta ruash, t’i japësh jetë çdo ditë. Vargjet e thurura aq bukur ta imponojnë ta dëgjosh me qindra herë. Kjo kënge nuk më kujton asgjë, vetëm më jep forcë të dashuroj më shumë.

Hafsa Zyberi –  S’paske pas një pike mëshire

Duke vazhduar edhe me një këngë të zonjës Zyberi, perla e këngës shqipe. Unë do ta quaja pasuri kombëtare. Arsyeja pse e kam zgjedhur këtë është se më kujton kohen kur unë isha një fëmijë 4 vjeçar. Ndihem  e lumtur që jam rritur në mesin e këtyre këngëve, por ç’është e vërteta  nuk do të hezitoja edhe ta këndoj ndonjëherë kur të me jepet rasti. Dashuria e madhe që kam për këtë këngë do të më jepte guxim ndoshta.
 
Elita 5 - Al Kapone

Një tekst shumë i veçante dhe shumë romantik, është  një këngë që e kam dëgjuar në një periudhë kur kam filluar ta shoh vetën si një e rritur, kur mendimet merrnin një kahje krejtësisht tjetër, kur periudha e adoleshencës ishte gati në përfundim. Një pjesë shumë e veçantë e jetës sime që nuk do të doja ta zbuloja më tutje në detaje.

Metallica – Nothing Else Matters

Do të vazhdoj më zhanrin e njëjtë. Pasi do të rrëfehem vetëm përmes muzikës, do ta veçoja këtë grup shumë të pëlqyer. Arsyeja që e kam dëgjuar këtë grup është pse janë fantastik në çdo gjë që e interpretojnë. Njëherit në këtë periudhë pata filluar të përgatitem për jetën më të bukur, atë të studimeve. Kënga "Nothing Else Matters”, ka qenë vështirë për të mos u dëgjuar. Do të mbetet një këngë e veçante për mua gjithmonë.

Betoko - Raining Again

Me ta dëgjuar një herë “Raining Again” më bën të jem gjithmonë me atraktive, dhe jo rastësisht  gjatë gjithë proceseve që i kam në punën që e bëj unë shoqërohem me këtë super hit dhe asnjëherë nuk preferoj të punoj pa shoqërinë e muzikës së këtij zhanri. Thjesht më mahnit…

James Brown – It’s a Man's World

Një super hit, që më së shumti më bën përshtypje mënyra e përshkrimit të gjinisë mashkullore, privilegjeve që i gëzohet dhe me gjërat që mburret, pa dashur të shprehi arrogancë, është një ndër këngët që e dëgjojë më së shpeshti dhe fatmirësisht e shoh vetëm në këtë këngë vetëbesimin e gjinisë së kundërt!

Gotye - Somebody That I Used to Know

Udhëtimet më pëlqejnë, por gjithmonë më shoqëron ideja të mbaj shënime të ndryshme të çdo lëmie, por krahas kësaj këngët si “Somebody That I Used to Know”, janë shumë adekuate në një rrethana të tilla. Si këngë më shpjer gjithmonë tek disa mendime që vështirë do t'ia filloja t’i përshkruaj. Më bën të udhëtoj me ditë të tëra. Thjesht më pëlqen pa masë.

Massive Attack Angel

Jo gjithmonë mundemi të jetojmë vetëm me realitetin që na rrethon. Nganjëherë po të mos ishte kufiri i përtejshëm i imagjinatës, unë nuk do ta konsideroja të drejt ta quaja veten njeri me ëndrra me dëshira. Përndryshe me imagjinatë bëj kilometra. Më pëlqen t’i shoh nganjëherë gjërat irealiste, ndoshta edhe do të doja që disa të ishin përtej reales gjithmonë, ama kjo është imagjinatë e imja. Grupi më i mirë, “Massive Attack” , mua gjithmonë më bën të jetoj në fantazinë, në universin e paarritshëm  nga  asnjë njeri në këtë botë, përveç të besuarit që ekziston diku, dhe shpesh e mendoj që ai është në mesin tonë, besimi në vete, ambicie në profesionin, në jetën që e gëzojmë. Unë me këngët e këtyre yjeve jam më afër gjithçkaje.

Moulin Rouge -  Tango Roxanne

Është një këngë shumë e veçantë.  Më këtë këngë  ngado që do të shkoja nuk do të doja të jem në vendin e dëgjuesit asnjëherë, me këtë tango fantastike do të doja t’i ndjekja me ëndje të madhe hapat e mrekullueshme që  na i jep gjithë kjo vepër e madhe. Vallëzimi i kësaj tangoje më bën të ndihem njeriu më lumtur në botë.

Amy Winehouse – Back to Black

Ylli Amy më bën të besoj shumë në çdo qëllim të jetës që mundet ta ketë njeriu. Ishte një femër me shumë vetëbesim dhe shumë e talentuar në punën e saj që e bënte me aq pasion, ndoshta edhe kjo mund të jetë arsyeja pse unë jam dëgjuese e rregullt e yllit Winehouse. Arroganca e saj feministe që e shpreh në çdo hit të saj më tërheq bukur shumë, dhe fatmirësisht e kam dëgjuar në periudhat më sfiduese që kam pasur  si e re për të nis rrugën si femër me karrierë të suksesshme./Zeri/