Studiues kemi, kritikë jo

Kultura July 18, 2017 - 08:44

Tashmë të gjithë shkrimtarët shqiptarë që pyeten rreth argumentit, thuajse njëzëri pohojnë se Kritika Letrare tek ne është “për t’u vajtuar”. Kuptohet, ka edhe prej atyre që tregohen të matur e të kujdesshëm, sidomos në prag konkursesh, të bindur se në përbërjen e jurive letrare të fund-fillim-vitit detyrimisht do të ketë edhe ndonjë kritik, i cili mund t’i harrojë vlerat e veprës tënde, por kurrë të vërtetat në adresë të fushës së tij.

Megjithëse problematikat e kritikës letrare janë vënë në dukje prej kohësh, shenjat e një ndryshimi pozitiv nuk duken kund në horizont. Bile, e them me plot gojë se situata sa vjen e përkeqësohet.

Edhe pse për çdo vit nga katedrat tona universitare (pjesë e të cilave jam edhe unë) dalin me dhjetëra e dhjetëra studiues e specialistë letërsie, edhe pse për çdo vit numri i masterave e doktorëve shkencorë rritet rryeshëm - si prurjet e Drinit në kohë përmbytjesh...

Një situatë e tillë, për paradoks, ka bërë që kritikët e brezit të vjetër, të rritur e të formuar në shkollën e realizmit socialist, të jenë më aktivë e, shpeshherë, edhe më me autoritet se të rinjtë. Edhe pse këta të fundit, gjatë këtyre njëzet viteve, i kanë pasur të gjitha mundësitë e shanset – përmes shkollës, por dhe jashtë saj – të njihen me teoritë e praktikat bashkëkohore të shkencës së letërsisë dhe t’i aplikojnë ato në kuadrin e letrave shqipe, çka, për hir të së vërtetës, janë rrekur ta bëjnë. Porse e kanë bërë si studiues letërsie e jo si kritikë letrarë.

Dhe vijmë tek paradoksi i dytë: studiues letërsie kemi, kritikë letrarë jo. Mjafton t’u hidhni një sy punëve shkencore të studiuesve të rinj (zakonisht tema diplomash apo doktoraturash): ngjasojnë si dy pika uji njëra me tjetrën. Të konceptuara e të ndërtuara mbi të njëjtin model (zakonisht sipas modelit të dhënë nga Eco, thua se ai është Zoti mbi tokë). Të gjitha të zhvilluara sipas të njëjtës skemë, duke vënë në qendër analiza strukturaliste e post-strukturaliste, rrekje semiotike e postmoderne, kodifikuese e de-kodifikuese... Pavarësisht nga vepra e autori, që merren në analizë. Pavarësisht nga veçantitë e tyre. Dhe së fundi, pavarësisht nga e vërteta e rëndësishme se një vepër letrare që e meriton vëmendjen e gjykimin kritik, nuk mund jetë objekt analizash e skemash të ngurtësuara e të paramenduara.

Dhe vijmë tek paradoksi i tretë: studiuesit tanë të rinj duken më të shqetësuar të gjejnë një vepër letrare që t’u përshtatet, t’u rrijë mirë skemave që kanë futur dhunshëm në krye, sesa një vepër të vlershme e që mund të paraqesë risi. Kësisoj, një takëm i tillë mbeten thjesht në kuadrin e studiuesve, që përsëritin pajada njëri-tjetrin, pa arritur në nivelin e kritikut me autoritet, që gjykon në mënyrë të pavarur për procese e vepra letrare. Prandaj dhe kohët e fundit janë rritur së tepërmi studimet rreth veprës së autorëve klasikë (Koliqi, Kuteli, Poradeci, Mjeda, Fishta...), autorë që e kanë kaluar provimin e kohës dhe si të tillë, marrja me to paraqitet e parrezikshme. Porse e përsërisim: këto studime ngjasojnë jo pak njëri me tjetrin dhe rrallëherë sjellin diçka të re, prejse u përmbahen klisheve e skemave të paramenduara. 

Kritiku në zë Harold Bloom, në parafjalën e veprës si tij të njohur “Përse dhe si të lexojmë” vinte në dukje disa sëmundje (djaj, i quante ai), të cilat kanë përfshirë lexuesin dhe leximin bashkëkohor:

1. Teza mbi vdekjen e Autorit.
2. Pohimi se vetvetja është një trillim.
3. Pohimi se personazhet letrarë e dramatikë janë thjesht shenja të lëna në letër.
4. Teoria se është gjuha ajo që përcakton mendimin tonë.

Pikërisht me këto “djaj”, gjithnjë në emër të bashkëkohësisë, janë mbushur programet e tekstet tona universitare (të përkthyera në më të shumtën e rasteve), por dhe kokat e mësimdhënësve; “djaj” që u përcillen studentëve pa ndonjë qëndrim kritik e polemizues. Dhe për më tepër, në shtypin tonë, letrar ose jo, sheh sesi rriten përditë avokatët e këtyre “djajve”, teksa rrekjet kundërshtuese e polemizuese mungojnë thuajse krejt. Aq më keq kur avokatë të tillë, të cilët (pa dashjen e tyre, besoj) e kthejnë Leximin nga një aventurë shpirtërore e intelektuale në një gogol të frikshëm e të mërzitshëm, militojnë nëpër shkollat e universitetet tona. 

Dhe vijmë kështu tek paradoksi i katërt: studiues letërsie nxjerrim nga shkollat tona, por lexues të librit jo. Dikur, në një rrekje të mjerë për t’u rënë sado pak zileve të alarmit, pata shkruar e botuar disa ese, në njërën prej të cilave shprehesha ashpër se “shkollat tona nxjerrin robotë letrarë dhe jo dashnorë të librit”. Për fat të keq, edhe tani pas shumë vitesh, vazhdoj të ruaj të njëjtën bindje. Shkollat tona të mesme e të larta, në emër të kinse “europianizmit të plotë e të shpejtë” (lexo: majmunëzim i plotë dhe i shpejtë), po nxjerrin gjithnjë e më pak “dashnorë të librit”, duke shpërfillur e lënë mënjanë gjithë përvojën e shembujt e bukur nga e kaluara. (Edhe tani e kujtoj me nderim mësuesen time të letërsisë në shkollën e mesme, Zana Velikaj, për pasionin e pathosin e saj gjatë orëve të mësimit).

Dhe vijmë, si pa e kuptuar, te paradoksi i pestë: “armiqtë” më të mëdhenj të Librit e të Leximit të duket se janë bërë pikërisht ata që duhej të ishin miqtë më të mëdhenj: mësimdhënësit e pedagogët e letërsisë. Të hutuar në zbërthimin e enigmës Kartë Bolonje, të zënë me kualifikime të vazhdueshme (në një garë të ethshme, deri në absurd, titujsh e gradash), kuptohet që nuk kanë kohë ta provojnë prapë (si dikur në kohët e rinisë!) shijen e magjishme të leximit pa interes të thatë shkencor. Kur vetë ata e kanë humbur këtë shije, si mund ta përcjellin te të tjerët? Domethënë te nxënësit e studentët? Si mund t’i formojnë Lexuesit e ardhshëm? Vetëm me koncepsione teorike kinse evropiane e bashkëkohore? 

Por dhe në këtë rrafsh, të duket se ora e studimeve dhe perceptimeve tona letrare ka mbetur në vitet 60-70 të shekullit të kaluar. Te strukturalistët e dekonstruktivistët. Te semiotistët e “djajtë” e tjerë. Ndërkohë kur viteve të fundit po rriten tendencat e zërat autoritarë, që bëjnë fjalë për teori e praktika post-realiste e post-romantike në letrat bashkëkohore. Gjithnjë me synimin për t’i dhënë fund atij divorci tragjik mes Letërsisë dhe Lexuesit.

Dhe vijmë tek problemi i ngritur në fillim të këtyre shënimeve modeste: pse nuk kemi kritikë letrarë, kur studiues të tillë kemi me shumicë? Përgjigjja, sipas gjykimit dhe bindjes sime, është e thjeshtë: sepse nuk kemi Lexues.

Prandaj dhe Lexuesi duhet bërë. Sa më shpejt.

Nesër mund të jetë krejt vonë. Kaq.