Gjuhëtarët thërrasin për kujdes ndaj shqipes

Kultura June 22, 2017 - 09:04

Pjesëmarrësit e konferencës shkencore me temë “Gjuha e shtypit”, të zhvilluar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në maj të këtij viti, në hapjen e veprimtarisë së përvitshme “Java e Albanologjisë”, miratuan njëzëri thirrjen për të treguar kujdesin më të madh për kulturën gjuhësore në shtypin e shkruar e të folur dhe për të bërë një kthesë të ndjeshme drejt përmirësimit të gjendjes së sotme.

Në njoftim për shtyp të Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare theksohet se kultura gjuhësore e shtypit dhe kujdesi për mbarëvajtjen e gjuhës shqipe në tërësi janë pa dyshim tipar themelor i qytetërimit tonë dhe shenjë domethënëse nderimi ndaj kësaj vlere të lartë kulturore të trashëguar e të ruajtur gjatë shekujve.

“Prandaj e quajmë të nevojshme që për këtë qëllim: në çdo organ shtypi ose radio a televizion të ketë një person të cilësuar për kulturën gjuhësore, i cili të shërbejë edhe si ndërlidhës me institucionet dhe organizmat shkencorë të gjuhësisë shqiptare. Ai do të ketë detyrë të përcjellë tek adresa elektronike e Qendrës së Studimeve Albanologjike (Tiranë), e Institutit Albanologjik të Prishtinës, e Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare (Tiranë) ose e Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës (Prishtinë) pyetjet e kolegëve për çështje të paqarta a të dyshimta, të pranojë vërejtjet e këshillimet e gjuhëtarëve dhe të veprojë për zbatimin e tyre në praktikë”, theksohet në njoftim.

Po ashtu kërkohet krijimi i një shoqate të redaktorëve letrarë / lektorëve të shtypit, e cila do të organizojë me forma të përshtatshme kualifikimin e mëtejshëm e të vijueshëm profesional të tyre në bashkëpunim me organizmat shkencorë-mësimorë në fushën e gjuhësisë.

“Degët e gazetarisë në universitet t’i japin rëndësi më të madhe formimit të thelluar gjuhësor të gazetarëve të ardhshëm dhe për këtë qëllim të përmirësojnë programet mësimore të lëndëve të gjuhës shqipe. Në “Ligjin për shtypin” në Shqipëri dhe në Kosovë të shtohet një nen ku të formulohet në mënyrë të përshtatshme kërkesa për përgjegjësinë morale e ligjore që duhet të mbajnë organet përkatëse të shtypit në rast të shkeljeve të rregullave e normave gjuhësore, pa i mohuar askujt të drejtën që të përdorë edhe forma të tjera të gjuhës së shkruar, të ndryshme nga gjuha standarde. Katedrat universitare të gjuhës shqipe ta përfshijnë më gjerë në veprimtarinë e tyre studimin e problematikës së gjuhës së shtypit, duke dhënë tema studimore nga kjo fushë e duke i bërë ato të njohura për praktikën”, përfundon njoftimi. /ZËRI/