Me aktivitete kulturore kosovarët shënuan Ditën e Refugjatëve

Kultura June 21, 2017 - 09:48

Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve, 20 Qershori, nuk kaloi pa u shënuar as në Kosovë. Kosovarët, të cilët para më pak se dy dekadash ishin refugjatë lufte, morën pjesë në disa aktivitete që u organizuan për shënimin e kësaj dite.

Në këtë ditë, që ndryshe shënohet edhe si Dita e Kthimit nga Eksodi i vitit 1999, në sheshin “Nëna Terezë”, në Prishtinë, u hap një ekspozitë me fotografi nga eksodi dhe kthimi i shqiptarëve në shtëpitë e tyre në Kosovë. Fotografitë, të mbledhura nga fotoreporterë vendorë e ndërkombëtarë, që kishin pasur rast t’i shkrepnin aso kohe, kthyen në kujtesën e publikun pamjet që reflektonin gëzimin e përfundimit të luftës, ndjenjën e çlirimit, por edhe atë të përndjekjes, vrasjes, djegies e shkatërrimit, gjithashtu. Ekspozita u organizua nga Departamenti i Diasporës pranë AAK-së.

Në anën tjetër, në mbrëmje, me fillim nga ora 20:00, në sheshin “Ibrahim Rugova” u shfaq filmi “Home”, që gjithashtu trajton temën e refugjatëve, por në një kontekst global.

Rikujtojmë se filmi është ko-produksion mes Britanisë së Madhe dhe Kosovës dhe ka fituar çmimin prestigjioz BAFTA. Filmi ka për temë “udhëtimin” e një familjeje britanike dhe tregon se sa lehtë mund të shembet siguria që mendojmë se e kemi ndërtuar rreth vetës.

Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve është themeluar nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara për ta nderuar forcën dhe guximin e grave, burrave dhe fëmijëve, të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të një strehe. Në Nenin 14 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut thuhet se secili ka të drejtë të kërkojë dhe të gëzojë strehim në vende të tjera për shkak të përndjekjes.