Tekiu i harruar dhe Ismeti i përgëzuar!

Kultura June 17, 2017 - 08:23

Qyteti i Gjakovës ka shënuar së fundit Ditën e Çlirimit nga lufta e fundit në Kosovë dhe me këtë rast Komuna e Gjakovës e ka dekoruar edhe këngëtarin Ismet Peja. Mbase ky ka qenë shkas që në rrjetin social Facebook, shkrimtarja Naime Beqiraj, të hapë një debat për faktin se figura e një shkrimtari si Teki Dervishi injorohet nga kjo Komunë, madje edhe tash, gati gjashtë vite pas vdekjes, shkruan sot, gazeta Zeri.

“Kur Teki Dervishi del i dërmuar nga Burgu i Goli Otokut, Ismet Peja krijon kulmin e karrierës, ndër të tjera me këngë ‘qalldisëse’, siç thotë teksti i këngës. Sot ky burrë dekorohet në Gjakovë me një gala mbrëmje. Zoti i dhëntë jetë të gjatë e pa brenga!

Edhe Teki Dervishi ishte gjakovar dhe në ditën e çlirimit të qytetit të tij (të cilit ia ka kushtuar pjesën më të bukur të krijimtarisë), e ka merituar një kujtesë pas vdekjes, qoftë edhe vëmendjen tuaj, kryetare e Gjakovës. Nuk mund të bëhet kurrë paralele në mes të një krijuesi brilant shqiptar, autor i më shumë se 30 librave, kritik, prozator, dramaturg, poet me një këngëtar i cili gati 30 vjet këndon vetëm muzikë tallava.
Nuk do të harrojmë kurrë se Ismet Peja e filloi muzikën tallava në vitin 1991, i pari në Kosovë, atëherë kur Teki Dervishi shkruante dramat më të bukura në letërsinë shqip dhe për fjalën e lirë kërcënohej me vdekje. 

Kur Teki Dervishi atëbotë boton veprën brilante (ia boton vetëm ShB Buzuku) ‘Zhvarrimin e Pjetër Bogdanit’, ky tipi qalldisë ilahi e kiç muzikë kafehaneve të Kosovës. 

Sot Teki Dervishin nuk e kujtojmë as me një emër rruge, as me një shënim të thjeshtë nga institucionet, as me një pllakë përkujtimore në shtëpinë ku u lind, ndërsa ky interpretuesi i ilahive bëhet artist. Artisti është krijues, nuk është papagall, nuk është tezgë.
Pas dy javësh do të mbushen gjashtë vjet nga vdekja jote, maestro. Teki i dashur, kohëra të tjera do të vijnë. Vepra dhe qëndresa jote kanë me të mbajt gjallë”, shkruan Beqiraj.

Me faktin se Teki Dervishi duhet të nderohet edhe pas vdekjes pajtohet edhe poeti nga Gjakova që jeton e vepron në Suedi, Shqiptar Oseku.

“Nuk dua te kontestoj Ismet Pejën, por pajtohem qe Gjakova nuk e çmon si duhet trashëgiminë e vet te shkrimtarëve dhe poetëve. Është pak fatkeqe kjo, pse ai vend ka vërtet nevojë për ato që rrojnë në poezi”, i shkruan Oseku Beqirajt.

Shumë njohës së veprës së Dervishit pohojnë se gjëja e parë që institucionet vendore të kulturës duhet të bëjnë për ta nderuar shkrimtarin është botimi i plotë i veprës së tij, që ende mungon.

Teki Dervishi gjatë gjithë jetës së tij u mor me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare- artistike përfshirë këtu romane, poezi e drama.