Themelohet Shoqata e Regjisorëve të Teatrit të Kosovës

Kultura June 07, 2017 - 16:56

Regjisorët Florent Mehmeti, Burbuqe Berisha, Ilir Bokshi, Kushtrim Koliqi, Zana Hoxha, Fatos Berisha, Erson Zymberi. Florent Mehmeti, Burbuqe Berisha, Ilir Bokshi, Kushtrim Koliqi, Zana Hoxha, Fatos Berisha dhe Erson Zymberi kanë themeluar të mërkurën Shoqatën e Regjisorëve të Teatrit të Kosovës, e cila synon të mbrojë dhe avancojë të drejtat e regjisorëve profesionist të Teatrit në Kosovë, shkruan “Zeri.info”.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë të kësaj shoqate të sapo themeluar:

Si nevojë imediate për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e regjisorëve profesionist të teatrit në Kosovë, themelohet Shoqata e Regjisorëve të Teatrit të Kosovës (ShRTK). ShRTK do të angazhohet për rregullimin e tregut të punës për regjisorët vendor. Për aftësimin dhe ngritjen profesionale dhe krijimin e rregulloreve që mundësojnë kushte dhe hapësirë për punë në lëmin e regjisurës në Kosovë.

ShRTK me keqardhje konstaton se trendi i angazhimit të regjisorëve vendor në SKENEN E MADHE te Teatrit Kombëtar të Kosovës, nga janari i 2016 e deri sot, është zero, dhe si i tillë është i papranueshëm

Angazhimi, gjegjësisht mosangazhimi i regjisorëve vendor në këtë afat të gjatë kohor në institucionin më të lartë teatror në vend ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin, gjegjësisht moszhvillimin e regjisorëve vendor, rrjedhimisht edhe në zhvillimin e industrisë teatrore vendore në përgjithësi

ShRTK do të angazhohet për dialog me strukturat relevante shtetërore dhe shoqërisë civile në krijimin e rregulloreve dhe legjislacionit përkatës për të rregulluar këtë problematikë. ShRTK do të angazhohet për frymë të hapjes ndaj angazhimeve të regjisorëve të huaj, por gjithmonë që kjo të bëhet në përmasa të tilla që lejon hapësirën për punë dhe zhvillim për regjisorët profesionist të Kosovës.

ShQRT fton regjisorët profesionist të Kosovës të anëtarësohen në këtë shoqatë, për të punuar së bashku në avancimin e mundësive dhe të drejtave tona, si dhe krijimin e hapësirës më të madhe për punë regjisoriale në vend. Deri në Kuvendin e parë zgjedhor të ShRTK, të interesuarit mund të dërgojnë biografinë dhe kontaktet në emailin: [email protected].

Themeluesit e ShRTK Florent Mehmeti, Burbuqe Berisha, Ilir Bokshi, Kushtrim Koliqi, Zana Hoxha, Fatos Berisha, Erson Zymberi. Zëri