90-vjetori i kompozitorit Çesk Zadeja shënohet me koncert

Kultura May 27, 2017 - 11:14

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë për 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit Çesk Zadeja organizoi koncertin vokal-instrumental me kompozime të themeluesit të muzikës shqiptare.

Me pjesëmarrjen e korit, orkestrës simfonike të TKOB-së, me dirigjent Desar Sulejmani, koncerti u zhvillua më 26 maj në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse. 

U luajtën simfonia e parë e vitit 1956, muzika e filmit “Skënderbeu” dhe vepra e fundit për orkestër që Çesk Zadeja e kompozoi më 1996, një vit para se të ndërronte jetë.

Zadeja njihet si kompozitori i simfonisë së parë shqiptare (1956), siç shprehen muzikologët e kohës është vepra më madhore jo vetëm në krijimtarinë e kompozitorit, por edhe në muzikën shqiptare. Krijimtaria e tij ka filluar herët që në vitet ’40-a me këngët “Doli nëna në çardak”, këngë heroike. Autor i kantatës “Atdheu”, krijues i muzikës së filmit të parë shqiptar “Tana” (1958) dhe filmave të tjerë si “Skënderbeu”(1954), “Krevati i Perandorit” (1973), “Në kufi të dy legjendave”(1981), “Flaka e maleve” (1982), etj.
Në krijimtarinë e tij përfshihen dhe romanca për bas dhe orkestër “Hej ju male”, koncert për orkestër, piano dhe violinë, suita për orkestër, suita dhe poema vokale, rapsodi për orkestër dhe violinë, etj. 
Zadeja ka kompozuar muzikën e baleteve të vëna në skenën e TKOB-së, si: “Delina”, (1964), “Shqiponjat sypatrembur”, (1972), “Vajzat e qytetit të gurtë”, (1990) dhe “Para stuhisë” (1982), e cila pati një premierë të dytë “Lumi i vdekur”, 2007. Ai ka hedhur bazat e muzikës së kultivuar shqiptare dhe është njëri nga themeluesit e institucioneve të artit./ZERI/.