Festivalet e mëdha hapin dyert për veprat e Kelmendit

Kultura May 26, 2017 - 08:31

Veprat e kompozitorit të ri kosovar, Memli Kelmendi, janë luajtur tashmë disa herë jashtë Kosovës. Ato kanë jehuar në Kile, Argjentinë, SHBA, Filipine, Kroaci, Itali, Romani, Çeki, Bosnje, Turqi e Maqedoni.

Siç është bërë e ditur tashmë, vepra e tij "Ater Umbra", do të prezantohet në "Piccolo Spoleto Festival" në SHBA.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, kompozitori Kelmendi thotë se ky Festival është një mundësi shumë e mirë për të si kompozitor që të promovohet.

“Po besoj që secili artist ndjehet mirë kur veprat e shkruara interpretohen dhe aq më shumë jashtë vendit. Kjo është një mundësi shumë e mirë. Ky është një Festival i njohur në SHBA, ku kori ‘Cobra Chorale’ ka qenë fituese më parë këtu. Ky kor është i njohur sidomos me interpretimin e veprave të kompozitorëve të shek. XX dhe XXI”, tregon Kelmendi.

Tutje ai thekson se ky bashkëpunim ka ardhur si rezultati i promovimit të veprës së tij nëpër rrjete sociale.

“Rrjetet sociale po e bëjnë të vetën dhe bashkëpunimi jonë erdhi përmes gjuhës muzikore. Kur dirigjenti Bennett është njoftuar me veprën time ‘Ater Umbra’ menjëherë është dashuruar në këtë vepër dhe më ka pyet se a mund të jetë kjo vepër në repertuarin e tij, pastaj më vonë më tregoi se kjo vepër do të interpretohet nga kori i tij ‘Cobra Chorale’, në Çarlston të SHBA-së”, tregon Kelmendi.

Veprën “Ater Umbra” të Kelmendit e ka vlerësua lart edhe dirigjenti William Bennett, cili ndër të tjera thotë se kjo vepër ka një gjuhë harmonike shumë interesante.

“Ndërsa studiova më shumë partiturë, fillova të kuptoja thellësinë dhe kuptimin e punës. Ka vetëm 4 fjalë në tekstin e copë. ‘Ater Umbra, Serva mua’. Ajo përkthehet ‘Hije e zezë’ dhe ‘Më ndihmo’.

Z. Kelmendi ka bërë një punë të mahnitshme në këtë vepër. Sipas mendimit tim, ‘hija e zezë’ është errësira, dhimbje, trishtim, depresion, uria, varfëria ose çështjet sociale më të thella. Në ‘Serva me’, ‘më ndihmo’, është një deklaratë shumë intime, e qetë, statike në muzikë, është kënduar vetëm nga femrat e korit dhe është e ndërthurur me momente heshtjeje, jo vetëm që e tërheq dëgjuesin, por gjithashtu krijon imazhe të një fëmije, të shenjtë dhe të vetëm, duke qarë me zë të ulët për dikë që të ‘më shpëtojë’. Ky moment është i thellë dhe thellësisht i zhvendosur për korin dhe dëgjuesin. Ne jemi kaq të ngazëllyer që kemi nderin të shfaqim veprën e ‘Ater Umbra’ në Shtetet e Bashkuara dhe jam mirënjohës kompozitorit Memli Kelmendi për këtë muzikë dhe mundësi të shkëlqyer", shkruhet në analizën e dirigjentit Bennett.

E para se ta shijojë publiku ndërkombëtar veprën e mirëpriti edhe publiku vendas, në hapje të Festivalit të muzikës klasike “ReMusica” në kryeqytet. I kënaqur me prezantimin duket se ka qenë edhe kompozitori.

“Vepra eshtër realizuar në hapje të Festivalit ‘ReMusica’ dhe është interpretuar nga Kori Profesional i Filarmonisë së Kosovës dhe është dirigjuar nga dirigjenti i mirënjohur Rafet Rudi. Vepra duket së është pëlyr dhe kam marrë kritika pozitive nga profesorë dhe profesionist të muzikës. Natyrisht duhet falënderuar Korin e Filarmonisë dhe dirigjentin për punën e mrekullueshme dhe realizimin e veprës sime. Jam shumë i kënaqur me çdo gjë”, thotë ai.

Krahas kompozimit, Memli Kelmendi është i angazhuar edhe si dirigjent edhe në korin e qytetit të Pejës, “Siparantum Choir”, që edhe  e mban emrin antik të këtij qytetit.

Debutimi i parë i korit “Siparantum Choir” u bë në festivalin ndërkombëtar të muzikës “DAM” në Prishtinë, për të vazhduar me koncerte recitale edhe nëpër qytete të tjera të Kosovës. 

Por siç tregon për "Zërin" Kelmendi, ky kor do të angazhohet shumë shpejt edhe jashtë vendit.

“Nga data 26 deri 30 Maj ne do të jemi në Zagreb të Kroacisë, ku do të paraqitemi me një program të vështirë, duke përfshirë vepra të kompozitorëve të njohur botërorë dhe shqiptarë: Bach, Whitacre, Junestad, Bartolucci, Presiner, Degl’ Ivellio, Zeqiri etj. Më 27 maj do të jemi si kor mysafir në kuadër të koncertit në 100-vjetorin e lindjes së kompozitorit italian Domenico Bartolucci, me korin HPD ‘Slavulj’, nga Petrinja, ku ne do të paraqitemi me disa vepra korale. Më 28 maj do të jemi në Zagreb dhe pastaj do të rikthehemi me koncertin recital në sallën e njohur koncertale në Petrinje, ku ne do të shfaqim gjithë programin tonë. Dua të veçoj se pjesë e frymës ‘Siparantum’ do të jetë edhe mjeshtri i polifonisë shqiptare, artist i popullit z. Hysni Zela, i cili do të bëjë një bashkëpunim me korin ‘Siparantum’, duke kënduar pjesë polifonike shqiptare si ‘Jannës ç’i panë sytë’ dhe ‘Këngë Turpi’”, bën të ditur ai.

Kelmendi është i angazhuar si mësimdhënës në shkollën e mesme të muzikës në Pejë dhe në Universitetin AAB, si profesor i dirigjimit dhe lëndës së muzikës për film.