Mulliqi në Muzeun Kombëtar të Kosovës

Kultura May 25, 2017 - 13:30

Në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës ka zënë vend një ekspozitë personale e artistit dhe piktorit Agron Mulliqi. Për shtatë ditë, përkatësisht  nga 24 maji e deri më datë 31, adhuruesit e këtij lloj arti mund t’i shohin për së afërmi veprat e Mulliqit.

Kryesisht veprat janë të punuara në letër, me kompozicion horizontal, në të cilat dominon begatshmëria përmbajtjesore, çiltëria kompozicionale, pastërtia, sensibiliteti i linjës, që të përkrahura nga ngjyrat, e bëjnë konstituivin e formës, figurave-kompozcionale, të cilat edhe janë tipare të Mulliqit.

Kuratori i kësaj ekspozite, Ilir Muharremi, shkruan në katalogun e ekspozitës se arti i Mulliqit zbukuron jetën dhe ngërthen në vete forma të lidhura me jetën sociale e me njerëzillëkun.

“Arti i Mulliqit zbukuron jetën dhe në vete ngërthen forma në raport me jetën sociale, i lidh të pa edukuarit me ligje të mirësjelljes, pastërtisë, njerëzillëkut, të heshturin e bënë të zhurmshëm, thyen heshtjen mu në kohën që duhet”, shkruan Muharremi.

Sipas tij, ky art ruan edhe dhembjet, përjashton tmerret, neveritë, pavarësisht këtyre përpjekjeve, shpërthen përsëri, në përputhje me origjinën shpirtërore, nxjerrë në pah anën domethënëse.

“Kam përshtypjen se Mulliqi në vete ndjen tepri forcash, të cilat janë zbukuruese dhe si përfundim ai kërkon të çlirohet nga kjo tepricë, duke krijuar vepra arti të nisura nga rrethanat së pari shpirtërore, shoqërore, psikologjike, imagjinatave që të gjitha peshojnë në një barometër plot imazhe domethënëse” shprehet kuratori i kësaj ekspozite, Ilir Muharremi

“Format thyhen, ndeshën njëra me tjetrën, ose ndërhyjnë mu në mes të figurave dhe krijojnë gjeometrinë, veçanërisht në kompozicionet horizontale, ku vërejmë fytyra dhe jo vetëm si aksentim kompozicional, por duke u bërë pjesë përbërëse e strukturës koloristike kompozcionale. Përmes linjës ritmike, simetrisë, asimetrisë, mbarështohen nga fryma poetike e lëvizjeve shqetësuese, portreteve, autoportreteve të vetë artistit. Trikotomia e tij: ngjyrë-formë-linjë harmonizon gjuhën unikale shprehëse e cila rrugëton drejt dekadave të ardhshme”, shkruan në katalogun e ekspozitës kuratori Muharremi.

Agron Mulliqi ka filluar të merret me pikturë dhe art, si artist i lirë që prej vitit 2000. Është autor i një numri të madh të pikturave dhe të vizatimeve. Artisti 52 vjeçar nga Gjakova ka marr pjesë në shumë ekspozita kolektive. Punimet e Mulliqit janë prezantuar edhe jashtë vendit, si në Danimarkë, ku janë hapur tri ekspozita personale të tij. Ndërsa kjo në Muzeun Kombëtarë të Kosovës është ekspozita e nëntë personale e artistit Mulliqi.

Agron Mulliqi ka mbaruar Akademinë e Arteve te profesori Muslim Mulliqi. Ai jeton dhe vepron si artist i lirë në Prishtinë.

Në vitin 2013 Mulliqi prezantoi në Galerinë Kombëtare të Kosovës ekspozitën e titulluar “Simfonia e Formave”. 

Kjo ekspozitë ishte e ndarë në dy cikle, të titulluara “Etno” dhe “Akcente nga jeta”, të cilat trajtonin tematika të ndryshme. Në kuadër të ciklit “Etno” u ekspozuan 432 copëza të vogla të pikturuara në materialin lesonit, të cilat kanë për temë etnosin, kurse në pjesën “Akcente nga jeta” autori prezantoi 15 piktura të punuara në pëlhurë që pasqyrojnë mitet, shenjat e ilirëve, folklorin dhe vlerat tradicionale shqiptare. Ekspozita pra përbëhej nga tri mediume: keramikë, pikturë dhe vizatim.

Mulliqi u prezantua gjithashtu edhe në ekspozitën kolektive të mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  në vitin 2014, ekspozitën e tri gjeneratave.

Artin e tyre në këtë ekspozitë aso kohe e prezantuan Muslim Mulliqi, Rexhep Ferri, Nysret Salihamixhiqi, Hajrush Fazliu, Zake Prelvukaj, Faik Krasniqi, Agim Salihu, Majlinda Kelmendi, Xhevdet Pantina, Agron Mulliqi, Skender Boshtrakaj, Refki Gallopeni, Natali Nikolovska dhe Reshat Ahmeti. /ZËRI/