Prishtina gati për festën e librit

Kultura May 23, 2017 - 09:25

Po finalizohen të gjitha përgatitjet që në fillim të muajit të ardhshëm të nis në Prishtinë ngjarja më e rëndësishme kulturore dedikuar librit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Panairi i 19-të i Prishtinës do të mbahet mes datave 6 e 11 qershor, në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Në këtë edicion pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Nëpër stendat e tyre ata do të prezantojnë rreth 1.100-1.200 tituj të rinj kurse numri i titujve të viteve të fundit sillet në rreth 4.000.

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 40.000 vizitorë, studentë, nxënës të shkollave të mesme dhe fillore të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës.

Duke qenë panair tashmë me traditë të konsoliduar, në prag të jubileut të 20-të do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore:

Këtë vit në këtë panair do të kremtohet 600 vjetori i lindjes së Pal Engjëllit, 300 vjetori i lindjes së Françesk Avatit, 220 vjetori i lindjes së Naum Veçilharxhit, 160 vjetori i lindjes së Visar Dodanit, 150 vjetori i lindjes së Mati Logorecit, 120 vjetori i lindjes së Shime Deshpalit, 110 vjetori i lindjes së Mitrush Kutelit, 100 vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, 100 vjetori i lindjes së Sotir Cacit, 100 vjetori i lindjes së Ndue Bytyçit, 100 vjetori i lindjes së Heinrich Böll, 100 vjetori i lindjes së Sidney Sheldon, 100 vjetori i lindjes së Robert Loëell, 100 vjetori i lindjes së Huan Rulfo, 80 vjetori i lindjes së Anton Pashkut, 80 vjetori i lindjes së Ali Sutajt dhe 30 vjetori i vdekjes së Lasgush Poradecit
Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit.

Organizatorëve të këtij panairi, Shoqatës së Botuesve të Kosovës, sivjet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit iu ka ndarë vetëm 5.000 euro, buxhet ky më i vogël se vitet e kaluara, e siç pohon për gaztën “Zëri”, Besian Zeneli nga kjo shoqatë, çështja financiare vazhdon të jetë një nga sfidat e këtij panairi tradicional.

”Sa i përket buxhetit padyshim që çdo zvogëlim i buxhetit paraqet pengesë dhe varfërim të panairit me ngjarje dhe mysafirë. Sivjet është panairi i 19 me radhe dhe mjerisht ne çdo vit ende kremi probleme të tilla me zvogëlime buxhetesh e pengesa të llojeve të ndryshme, por duhet tejkaluar”, thekson Zeneli.

Panairi do të ketë edhe mysafirët e nderit, shkrimtarë të shquar shqiptarë dhe të huaj, megjithatë sipas organizatorëve ende është herët të jepen emra konkret.

“Qershori është muaj goxha i nxehtë dhe temperaturat e larta shpesh shkaktojnë edhe probleme shëndetësore tek shkrimtarët më të moshuar, prandaj është shumë herët të japin emra se kush do të jetë i pranishëm. Besoj që kur të afrohet panairi, dy-tri ditë para, mund të them ndonjë emër”, thotë Zeneli.

Ceremonia e hapjes do të bëhet më 6 qershor, në orën 18:00 dhe transmetohet drejtpërdrejt, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës – RTK-së. Panairi do të mbyllet më 11 qershor, në orën 18:00.

Shoqata e Botuesve të Kosovës ka paraparë informimin e çdoditshëm të vizitorëve, mediave, botuesve me informatorin e shtypur dhe digjital, përmes faqes www.panairilibrit.com.

Si zakonisht, Shoqata e Botuesve të Kosovës do të organizojë edhe darkën solemne të Panairit të Librit, ku do të jepen çmimet sipas vlerësimit të jurisë speciale për librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë, studime letrare, eseistikë, publicistikë, përkthim letrar, si dhe do të shpallen “Shkrimtari i vitit” nga letërsia shqipe dhe “Shkrimtari i vitit” nga letërsia e huaj, por edhe “Stenda më e vizituar e panairit”.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga ora 9:00-20:00 kurse hyrja për vizitorë do të jetë falas.

Panairi i Librit në Prishtinë organizohet çdo vit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Edicioni i parë i tij është mbajtur në datat 17-22 nëntor të vitit 1999, ndërsa të tjerët janë organizuar çdo herë gjatë muajve maj-qershor./Zeri/.