Shënohet Dita e Monumenteve dhe Lokaliteteve

Kultura April 19, 2017 - 10:02

Aktivitetet në Muzeun Kombëtar të Kosovës për Ditën Botërore të Monumenteve dhe Lokaliteteve, filluan të martën që në mëngjes, me temën “Trashëgimia dhe turizmi i qëndrueshëm”. “Shkolla e Mozaikut” për të gjitha grupmoshat u mbajt me artistin Saimir Stratin, e krahas saj u mbajt edhe aktiviteti “Muzeu kreativ”.

“Shkolla e Mozaikut”, ka për qëllim t’i promovojë vlerat e trashëgimisë kulturore përmes punës praktike me mozaik, ku nxënësit shohin për së afërmi fragmente të dy mozaikëve nga koleksioni i Muzeut të Kosovës, që datojnë nga periudha romake shek IV-VI. Të inspiruar nga mozaiku, nxënësit mësojnë metodat e lashta dhe ato moderne të vendosjes së gurëve, duke i zbatuar ato në praktikë, nën përkujdesjen e edukatoreve muzeore. Kurse “Muzeu kreativ” është aktivitet muzeor i cili ka për qëllim që përmes punës kreative fëmijët të shprehin përshtypjet e tyre, për koleksionin muzeor në praktikë. Pasqyrimi i vlerave të trashëgimisë kulturore në kontekstin artistik u bë përmes punës me anë të terakotes, ngjyrave speciale dhe aksesorëve përcjellës.

Ndërsa në mbrëmje u mbajt ceremonia e rekordit Guinness për mozaikun e Nënës Terezë, punuar në Muzeun e Kosovë nga mjeshtri i mozaikëve nga Shqipëria, Saimir Strati.

Me këtë vepër artisti Strati hyri në librin e rekordeve Guinness për të dhjetën herë me radhë. Vepra tredimensionale është e madhe dhjetë metra katrorë dhe kopsat e telit të cilat me goditje janë vendosur në dru kanën ngjyrë të katërt dhe të bardhë.

Rikujtojmë se kjo vepër u finalizua dhe u prezantua për publikun më 28 nëntor të vitit të kaluar, në 104-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në anën tjetër, krejt spontanisht qytetarët u mblodhën rreth platos para sheshit “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, për të përcjellë performancen e anëtarëve të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, të martën në mesditë.

Këta të fundit paraprakisht defiluan nëpër sheshet e Prishtinës, duke shënuar kështu Ditën e Monumenteve dhe Lokaliteteve. Pas përfundimit të kolazhit të valleve në lokalet e ansamblit “Shota” u hap një ekspozitë e  përhershme me veshje kosovare.

Kuratorja e kësaj ekspozite, Erodita Qorkadiu-Haxhiu, bëri të ditur për Gazetën Zëri se shumica e këtyre veshjeve janë veshje të valltarëve, të trashëguara prej brezit në brez.

Sipas saj, shumë prej tyre nuk kanë qenë të kompletuara, por gjatë punës që kanë bërë në terren kanë arritur t’i kompletojnë ato.

“Një ekspozitë e tillë po hapet për herën e parë, pas 50 vitesh ekzistimi të ansamblit ‘Shota’. Këtu kemi paraqitur veshje të krahinave të ndryshme në Kosovë, duke filluar nga veshjet e Rrafshi i Dukagjinit, Gollakut, Drenicës, veshjen e nuses dhe dhëndrit të Rugovës dhe veshjen më karakteristike, që për mua është më e bukura ndër gjithë shqiptarinë, xhubletën shqiptare”, tregoi Haxhiu.

Në ceremoninë që i parapriu hapjes së ekspozitës drejtori i AKKV “Shota”, Shefqet Gjocaj, tha se kjo ekspozitë e rëndësishme ishte ideuar nga doajeni i ansamblit, Ismet Bogujevci, i cili do të pensionet së shpejti. 

“Një aktivitet të ngjashme ne do të mund ta bënim edhe në Ditën Botërore të Muzeve ose në Ditën Botërore të Trashëgimisë Kulturore, mirëpo meqë kjo datë, 18 prill, përkon me një ngjarje të rëndësishme të ansamblit ‘Shota’ ne kemi vendosur që me këtë datë të bëhet promovimi i ekspozitës. Kjo ngjarje është pensionimi i doajenit të ‘Shotës’, Ismet Bogujevcit, për të cilin ansambli ‘Shota’ ka përgatitur një koncert të përbashkët me ansamblin e Shqipërisë, por kemi dashur ta bëjmë edhe këtë ekspozitë, për arsye se ai ishte njëri ndër iniciatorët”, theksoi Gjocaj.

Në këtë ceremoni Bogujevcit iu ndanë edhe disa dhurata, nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe nga drejtori artistik i AKKV “Shota”, Ylber Asllanaj.

Image