'Chopin Piano Fest' vijon me Karel Bredenhorst dhe Alberta Tronin

Kultura April 12, 2017 - 08:28

I vendosur në një lokacion të ri koncertesh, ka nisur në Prishtinë edicionin e tetë festivali i muzikës klasike “Chopin Piano Fest”.

Mes datave 10 e 28 prill Amfiteatri i Bibliotekës Universitare do të bëhet nikoqir i mysafirëve që kanë rastin të ndjekin në kuadër të këtij edicioni gjithsej 13 mbrëmje muzikore.

Maratonën e koncerteve e hapi më 10 prill pianisti kroat Aljosha Juriniq, për ta vazhduar pastaj Christopher Hinterhuber nga Austria.

Mbrëmjen e së mërkurës në skenën e “Chopin Piano Fest” do të ngjitën violonçelisti Karel Bredenhorst nga Holanda dhe pianistja nga Kosova Alberta Troni.

Në një konferencë për media që i parapriu festivalit, Drejtoresha artistike e “Chopin Piano Fest”, Lelja Pula, u shpreh e kënaqur që edhe këtë vit kanë mundësi t’i prezantojnë publikut kosovar vlera muzikore.

“Në këtë edicion i kemi katër recitale jashtëzakonisht të bukura. Pastaj i kemi dy mbrëmje vokal-instrumentale me këngëtarë nga Kosova, por me pianistë të shkëlqyeshëm nga Anglia”, tha Pula duke përmendur se ata këtë vit duan të potencojnë edukimin muzikorë dhe pedagogjinë pianistike.

Programi i “Chopin Piano Fest” më 14 prill vijon me koncertin e muzikantëve Rita Kinka dhe pianistin Eugen Ingjiq me prejardhje nga Serbia, por që jeton në Francë. Ingjiq njëherësh edhe konsiderohet si mysafir special i këtij edicioni. 

Në anën tjetër, me 16 e 18 prill mbrëmjet me këndim e piano sjellin tenorin nga Austria Faik Hondozi, sopranon nga Kosova, Zana Abazi-Ramadani, pianistin nga Mbretëria e Bashkuar, Chris McCracken dhe sopranon Besa Llugiqi, më datë 18.

Pianisti  Eugen Indjic nga Franca prezantohet më 19 mars kurse Lule Elezi në piano dhe Alban Pengili me violinë prezantohen më datën 20.

Një podium për artistët e rinj, një podium për piano dhe një podium solistik do të prezantohen mes datave 22-26.

Festivali “Chopin Piano Fest” do të mbyllet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë me Filarmoninë e Kosovës dhe solistët e festivalit, pianistët Johannes Piirto dhe Shkëlzen Baftiari, nën dirigjimin e japonezit Toshio Yanagisawa.

Por krahas programit muzikor, “Chopin Piano Fest” sjellë edhe ligjërata, punëtori, masterklasa dhe një çmim i cili do të ndahet për herë të parë./Zeri/