Çmimi 'Pjetër Bogdani' për Ambasadën e SHBA-ve

Kultura April 12, 2017 - 08:27

Ka nisur për të 15-ën herë me radhë në Prishtinë “Java e Bibliotekës”, e cila sivjet do të shtrihet mes datave 11-15 prill.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazil Gajraku, në hapje të kësaj ngjarje tha se synimi i “Java e Bibliotekës” vazhdon të jetë motivimi i njerëzve për lexim, nxitja që ata t’i përdorin bibliotekat, t’i transformojnë ato në mjedise, ku jo vetëm lexohet, po edhe krijohet. Sipas tij, qëllimi i kësaj jave nuk është të mbledhë vetëm komunitetin e bibliotekës, por një rrjet më të gjerë njerëzish.

“Për të qartësuar njërin nga problemet që kanë bibliotekat, tema e javës do të jetë ‘E drejta autorit dhe biblioteka’ që do të përcillet me sesione ligjëratash të tipit të mbyllur, por edhe publike, të cilat do të organizohen në bibliotekat e Kosovës si në Prishtinë, Pejë dhe Prizren. Duhet ta nisim e ta sosim debatin për të theksuar se çfarë u takon bibliotekave të bëjnë”, tha Gajraku.

Ai theksoi se, njëlloj si 14-të edicionet e para, edhe kësaj here “Java e Bibliotekës” përkrahet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe institucionet e Kosovës.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, e cila është pjesë e këtij programi, ka sjellë në Prishtinë ekspozitën e Musine Kokalarit, një gruaje intelektuale e shkrimtare, e cila nuk ju nënshtrua regjimit komunist. Për Kokalarin gjatë “Javës së Bibliotekës” do të mbahet edhe një tryezë shkencore, ku do të referojnë disa studiues.

Një çmim i themeluar rishtazi, i titulluar “Pjetër Bogdani” e që do t’ju ndahet institucioneve dhe personaliteteve që përkrahin Bibliotekën Kombëtare, ju dha këtë edicion Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, përkatësisht ambasadorit Greg Delawie.

Kryetari i Këshillit të Bibliotekës Kombëtare, Muhamet Hamiti, duke arsyetuar këtë çmim, përmendi faktin se përkrahja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi Bibliotekës Kombëtare të Kosovë është e madhe.

“Këshilli ka vendosur që ky çmim sivjet t’i jepet Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin e çmueshëm në zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ dhe në zhvillimin e sistemit bibliotekar të Kosovës”, tha ndër të tjera Hamiti, duke përmendur se për 15 vite kjo ambasadë ka përkrahur BK-në në shumë pika, duke hartuar edhe planin e parë strategjik për zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare pas luftës së fundit në Kosovë e edhe shkollimin e bibliotekarëve kosovarë në shkolla amerikane.

Duke pranuar këtë çmim, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie, tha se zhvillimi i bibliotekave është një element esencial i zhvillimit të demokracisë.

“Faleminderit shumë të gjithëve për këtë çmim kaq të vlefshëm. Me të vërtetë kemi kënaqësinë që i mbështesim bibliotekat anë e këndë Kosovës dhe është kënaqësi që po ndihmojmë në çeljen e ‘Javës së Bibliotekës’ në Kosovë. Ju në shpjegimin tuaj folët për gjithë mbështetjen që ne kemi dhënë, por dëshiroj ta qartësoj se përse po e mbështesim me kaq vullnet bibliotekën. Sepse ne mendojmë që zhvillimi i bibliotekave është një element esencial i zhvillimit të demokracisë dhe gjithë kjo punë të cilën e kemi bërë për mbështetjen e demokracisë në 20 vitet e fundit ka bërë të ta ndihmojnë pikërisht atë, demokracinë. Faleminderit që jeni edhe nikoqir i këndeve tona amerikane nëpër bibliotekat e Kosovës. Ju faleminderit për këtë partneritet të vazhdueshëm”, u shpreh Delawie.

Në fjalën e tij të rastit kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, foli për bibliotekat, si një nga themelet e shtetit të shëndosh, siç tha ai.

“Unë jam tejet i nderuar që të flas përpara jush. Do të doja t’ju falënderoj për organizimin e kësaj jave dhe për këtë mundësi të veçantë për të qenë pjesë e kësaj ngjarje. Bibliotekat janë themelet e një shteti të shëndetshëm. Ato u japim njerëzve mundësi të bëjnë hulumtime shkencore, e interpretime të ndryshme. Bibliotekat reflektojnë diversitetin dhe karakterin, nevojat dhe veprimet e njerëzve. Në botën e biznesit njerëzit i përdorin burimet e bibliotekës për të marr mendime të mençura në fushën e tyre”, theksoi Mustafa, duke shtuar se si Qeveri e Kosovës janë të interesuar t’i digjitalizojnë bibliotekat e t’i mbrojnë arkivat duke përfaqësuar kështu gjitha pasurit kulturore të Kosovës.