Elezi dhe Pengili me koncerte në Gjermani

Kultura March 28, 2017 - 08:48

Gjithnjë e më shumë po afirmohet kultura jonë në shtratin e saj të natyrshëm, në Evropë. Krijues nga hapësirat shqiptare gjithnjë e më shumë po janë prezent në jetën kulturore të vendeve të ndryshme të Evropës. Edhe Kosova si shteti më I ri gjithnjë e më shumë po gjen hapësirë për promovimin e vlerave të veta kulturore. Në këtë vazhdë duhet pare edhe koncertet e përbashkëta në Gjermani të Lule Elezit dhe Alban Pengilit.

Siç njofton albinfo.ch pianistja nga Kosova, Lule ELezi dhe violinisti shqiptar me qëndrim në Gjermani, Alban Pengili, do të jenë së bashku me “Duo Kassik Konzert” për piano dhe violinë më 7 dhe 9 prill, në Dortmund, respektivisht Bad Honnef. Programi do të përsëritet edhe një herë më 20 prill në kuadrin e Festivalit ndërkombëtar të pianos “Frederik Chopin” që mbahet në Prishtinë, njofton Alban Pengili për albinfo.ch

Koncerti në Dortmund do të mbahet  në “Geigenbaumeister und Sohn”, ndërsa në Bad Honnef në Confiserie Haus Coppneur.

Alban Pengili është i lindur në vitin 1972, në Tiranë. Në vitin 1992 ai ka filluar studimet në Folkwang-Hochshule në Esen të Gjermanisë. Këtu ai ka mbaruar masterin në muzikën e dhomës (kamertale). Ka marrë një sërë çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare për ekzekutimin e tij virtuoz me violinë.

Pengili,  është i përkushtuar shumë arsimimit muzikor të brezit të ri. Shumë nga nxënësit e tij në Gjermani janë dalluar dhe vlerësuar me çmime të larta në nivel vendi dhe në botë.

Lule Elezi është e njohur si pianiste shumë cilësore dhe profesoreshë e rregullt e pianos në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ajo ka dhënë koncerte dhe ka përfaqësuar vlerat e muzikës shqiptare në shumë vende të botës, mes tjerash edhe në Gjermani, Austri, Kinë etj.

Në këto koncerte do të ekzekutohen krijime të kompozitorëve: Beethoven, Sinding, de Falla, Sarasate, Chopin, Wieniawski, Tschaikowski dhe Saint-Saëns. Koncerti në Dortmund fillon në orën 19.00