Të rejat injorojnë traditën e qëndisjes

Kultura March 23, 2017 - 09:48

Nuk është shumë e largët koha kur mbi televizor pothuajse çdo shtëpi kosovare kishte një copë të vogël të qëndisur me dorë.

Mbulesa të tilla nuk mungonin as në tavolinat e orenditë e tjera të shtëpive. Të bardha, ngjyrë kremi, e  vend vende edhe me ngjyra të tjera, këto punime vinin me ardhjen e nuses, ose thureshin në rininë e vajzave, e edhe nga zonjat e shtëpive.

Të tilla punime rrallë shihen në shtëpitë tona, por punimin e tyre të freskët e ka në kujtesë Ganimete Rama 56 vjeçare, nga Prishtina, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Ne kemi mësuar të qëndisim e të thurim qysh në moshë shumë të re. Atëherë kjo ka qenë një gjë e zakonshme, sepse të gjitha vajzat e kanë mësuar”, kujton zonja Rama, duke theksuar se ishte e kundërta e ditëve të sotme, pra e jashtëzakonshme ka qenë të mos dish të qëndisësh, e jo të dish, siç është sot.

“Shumicën e punimeve të mia të dorës i kam punuar gjatë kohës sa kam qenë e fejuar. Për shkak të rrethanave të ndryshme fejesa jonë zgjati dy vjet, kështu që kisha mjaft kohë në dispozicion”, kujton ajo duke qeshur.

“Punimi i pajës ka qenë një nga traditat më të rëndësishme të asaj kohe. E din të gjithë njerëzit e atij brezi. Blerja e materialeve, modelet e thurura, ngjyrat, e gjithçka tjetër ka qenë e rëndësishme. Ato janë bërë gati me kujdesin më të madh dhe janë dërguar në shtëpinë ku vajza ka shkuar nuse”, tregon Ganimetja.

Shumë prej këtyre punimeve asaj i janë djegur në luftë, por fatmirësisht disa prej “copave të artit të saj”, siç pëlqen t’i quaj ajo, kanë shpëtuar.

“Lufta ka marrë shumë nga gjërat më të rëndësishme, prandaj kjo pjesa e pajës nuk duhet as të përmendet. Por shumë grave, si mua, edhe paja u është djegur në luftë. Kjo është punë që na merrte kohë e përkushtim, por siç e kujtoj unë, ne me shoqe e bënim me shumë kënaqësi. Shkëmbenim modele, bënim gara, por edhe ndihmonim njëra -tjetrën kur afrohej dita e kanagjeqit e dasma”, thotë Rama, duke kujtuar se pjesa e hekurosjes e mbështjellja e tyre ishte procesi final e i vështirë.

“As unë e shoqet e mia nuk jemi të pashkolluara. Ne i takojmë asaj gjenerate që kemi kryer shkollën fillore, të mesme, e dikush edhe të lartë. Paja nuk ishte çështje prapambeturie, ishte çështje traditë. E kishim vazhdimësi të gjysheve e nënave tona, vazhdimësi të cilën vajzat tona sot me shumicë po e refuzojnë, qoftë edhe si simbolikë” thotë Ganimetja.

Në Tregun e Gjelbër në Prishtinë funksionojnë dhjetëra dyqane që shesin gjësende që zakonisht blihen nga vajzat që janë në prag të martesës. Fustanet e nusërisë, zbukurimet, veshjet kombëtare edhe paja.

Në Prishtinë, por edhe në qytete të tjera sigurisht, të rejat e interesuara mund t’i blejnë të gatshme të gjitha gjërat që dikur secila i punonte vet me dorë.

“Interesimin më të madh vazhdojmë ta kemi për veshje, por ende shiten edhe gjërat e tjera, paja komplet, ose elemente më të vogla”, thotë një shitëse e njërit nga këto dyqane.

E pyetur cilat qytetarë nga cilat krahina janë më të interesuar për këto produkte, ajo përgjigjet e bindur se pjesa më e madhe e klientelës së tyre përbëhet nga mërgimtarët e të gjitha viseve të Kosovës.

“Qytetar nga krejt Kosova vijnë në Prishtinë për t’i blerë gjërat e nuses. Varësisht se si i planifikojnë dasmat e tyre, por ne klientët më të rregullt, më të shpeshtë, i kemi nga Diaspora. Ju na vizituat në dimër, por duhet të vini këtu që nga qershori e tutje. Nënat e me vajzat e reja, a vjehrrat me nuse janë gjithandej në këto shitore. Mërgimtarët sikur i kanë më afër zemrës traditat. Kur vijnë ata duan t’i blejnë gjitha kompletet, e jo të shkëpusin diçka, siç ndodh rëndom me nuset e Kosovës”, thotë shitësja duke shtuar se edhe faktuarat mërgimtarët i bëjnë më të gjata.

“Natyrisht se gjendja ekonomike dallon. Ata marrin kryesisht mallin më të mirë, më të shtrenjtë, por ne kemi zgjidhje për të gjithë”, thotë ajo.

Por shpenzimet marramendëse për nusërim janë të paimagjinueshme për 23 vjeçarën nga Prishtina, Arlinda Bajraktari. Ajo thotë se këto gjëra në kohët kur po jetojmë janë të pa arsyeshme.

“Kam dëgjuar edhe unë sa shumë po shpenzohet ende për dasma. Thënë të drejtën, gjithçka më duket e paarsyeshme. Qindra e mijëra euro të investuara në materiale nusërie nuk konsideroj se ja vlejnë. Edhe kur bëhet fjalë për punimet e dorës, kohët kanë ndryshuar. Nënat tona kanë qëndisur, por ne po rritemi dhe jetojmë në tjetër kohë, nuk mendoj se duhet të jetë obligim për të gjitha vajzat. Ajo më shumë është pasion”, thotë Bajraktari, duke shtuar se vajzave më shumë se tu kërkohet pajë duhet tu mundësohet shkollim e barazi. /ZËRI/

 

Image