Pirandello i zorshëm për trupën e teatrit të Ferizajt

Kultura March 20, 2017 - 10:26

Teatri profesionist “Adriana”, në Ferizaj, sezonin teatror për këtë vit e nisi me shfaqjen “Njeriu, kafsha dhe virtyti” të nobelistit italian, dramaturgut të njohur, Luigj Pirandellos. Që në fillim duhet thënë se kapacitetet e trupës rezidente të këtij teatri nuk ishin të mjaftueshme për ta përballuar tekstin e Pirandellos, një komedi kjo e cila u dëshmua të jetë e zorshme për një trupë me pak përvojë, të cilës i kishin ardhur në ndihmë aktori Shpëtim Selmani dhe aktorja Dardana Mehmeti, të cilët u paraqitën në rolet kryesore, madje Shpëtim Selmani ishte edhe bartës i kësaj shfaqjeje.

Regjisori Kushtrim Bekteshi, i ardhur nga Shkupi i Maqedonisë, i njohur si njëri nga regjisorët më të mirë në hapësirat shqiptare, kishte arritur që nga kjo trupë të nxjerrë maksimumin e mundshëm, në mënyrë që shfaqja së paku të arrinte një nivel të pranueshëm, gjë kjo e cila u dëshmua edhe me reagimet e publikut, përkatësisht duartrokitjet e tij. Regjisori Bekteshi, përkundër disa rënieve të ritmit të shfaqjes nëpër disa skena, arriti që ta mbajë gjallë kureshtjen dhe interesimin e publikut gati për dy orë të plota. Dhe më në fund ky është kriteri i parë për vlerësimin e një shfaqjeje, ndërsa ajo bëhet për publikun e jo për kritikën.

Të vendosësh shfaqjen e Luigji Pirandellos “Njeriu, kafsha dhe virtyti” në një teatër me kapacitete çfarë është aktualisht ky i Ferizajt, vërtet është një ndërmarrje e guximshme. Kjo komedi e Pirandellos është e mbushur me satirë, me ironi, me sarkazëm deri në groteskë. Madje absurdi është dimensioni më i rëndësishëm i këtij teksti të Pirandellos, gjë të cilën e ka vërejtur edhe regjisori Kushtrim Bekteshi dhe si të tillë e ka vendosur në plan të parë, duke ikur kështu nga koncepti i vendosjes së tekstit si një komedi e mirëfilltë.

Regjisori ka arritur që ta shfrytëzojë mirë hapësirën e vogël të skenës së teatrit në Ferizaj, përkundër që karriget si element kryesor i skenografisë, herë-herë dukej sikur pengonin lojën e aktorëve në skenë dhe shpesh ndërtonin një imazh që nuk përkonte me shfaqjen, përkatësisht me fjalët e derdhura në skenë, të cilat bartnin kuptime shumështresore dhe si të tilla bëheshin të zorshme për aktorët që nuk ishin sprovuar ndonjëherë me tekste të tilla. Sigurisht që binte në sy një disiplinë skenike, e cila i shtonte vlerën estetike shfaqjes, ndihmuar nga një kostumografi e mirë dhe një muzikë e përzgjedhur, e cila në një variant tjetër të shtrirjes së këtij teksti në skenë do të duhej të ishte shumë më ritmike. Efekte të mira shfaqjes i dhanë edhe dritat, të cilat ishin mjaft funksionale.

Pa dyshim që kjo shfaqje u bart mbi supet e aktorit Shpëtim Selmani, i cili dëshmoi se është një aktor me kapacitete të jashtëzakonshme. Kreacionet e tij në skenë, siguria e lëvizjes dhe shfrytëzimit të hapësirës skenike, ishin diçka që mund të karakterizojnë vetëm një aktor të madh.

Kështu të ndihmuar nga Shpëtim Selmani dhe Dardana Mehmeti, në këtë shfaqje kontributin e tyre si aktorë e dhanë edhe Mevlan Saraçi, Jajush Ramadani, Milot Salihu, Sherif Bega, Edona Berisha-Bekteshi, Ali Krasniqi, Arben Marevci dhe Ekrem Jakupi. Skenografia e kësaj shfaqje është punuar nga Mentor Berisha, ndërsa kostumet i ka punuar Samka Ferri.