Rrita 14 vjeçare e teatrit të pavarur “Oda”

Kultura March 16, 2017 - 09:59

Teatri “Oda” në Prishtinë ka shënuar 14-vjetorin e themelimit. Me një mbrëmje mes artistësh, miqsh e bashkëpunëtorësh u shënua kjo ditëlindje e këtij institucioni kulturor.

Drejtori i Teatrit “Oda”, Florent Mehmeti, gjatë fjalimit me të cilin hapi këtë ngjarje foli për rrugëtimin e “Odës” dhe sukseset.

“Ne kemi prodhuar më shumë se 50 projekte kulturore, e në këtë skenë kanë kaluar shumë artistë që sot janë tejet të suksesshëm, por nuk kanë munguar as sukseset tjera sidomos në skenën ndërkombëtare, ku gjatë pesë viteve të fundit jemi shumë më aktivë dhe një punë e madhe po bëhet në atë nivel e që shumë pak shihet në Kosovë”, tha ndër të tjera Mehmeti.

Teatri i pavarur “Oda” është themeluar në fund të vitit 2002 me iniciativë të aktorit Lirak Çelaj dhe regjisorit Florent Mehmeti. 

Kurse më 1 Mars 2003 u shfaq premiera e parë e ODA-së me shfaqjen “Monologët e Vaginës”. Prandaj 1 marsin “Oda” e kremton si përvjetor të saj. Shumë artistë dhe artdashës e kanë mirëpritur hapjen e këtij teatri dhe vazhdojnë ta përkrahin maksimalisht. Gjithashtu edhe mediat e kanë përkrahur duke i dhënë publicitet të madh.

Më datë 5 janar 2004 Teatri “Oda” ka promovuar objektin e saj në të cilin është edhe sot, i cili është i vetmi në Kosovë i kësaj forme. Teatri ODA është teatri i vetëm i pavarur në Kosovë me hapësirë të vet.

Teatri “Oda” përpos produksionit të vet, ka pasur dhe do të ketë në skenën e saj edhe trupa mysafire jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, Maqedonia dhe rajoni i Ballkanit në përgjithësi, si dhe nga Evropa dhe SHBA.  ODA është anëtare e rregullt e rrjetit më të madh të teatrove në Evropë, i quajtur Informal European Theatre Meeting – IETM dhe anëtare e rrjetit Ballkan Express (rrjet i teatrove të rajonit të Ballkanit).

Përpos shfaqjeve, në hapësirën e “Odës” janë mbajtur dhe mbahen edhe koncerte të muzikës së zhanreve të ndryshme, shfaqje të filmave, promovime, etj. Hapësira e teatrit ODA shfrytëzohet edhe për xhirimin e TV emisioneve, TV Serialeve, videoklipeve dhe filmave të ndryshëm. Gjithashtu në kuadër të “Odës” ekziston edhe Galeria “Oda” ku organizohen ekspozita të ndryshme. Në të është edhe ekspozita e përhershme e fotografive të produksionit të “Odës” si dhe foto me pamje të monumenteve historike nga Shqipëria, nga Veton Gusia dhe ART Foto.

“Oda për të rinj” është program që funksionon në kuadër të “Odës” dhe është divizion i veçantë me një rëndësi të posaçme. “Oda për të rinj” është një klub për të rinj ku atyre u jepet rasti që në mënyrë aktive të marrin pjesë në projekte artistike të mbikëqyrur nga profesionistë. Në kuadër të këtij programi realizohen shfaqje me të rinj dhe për të rinj.

Deri më tani në Teatrin “Oda” gjatë një viti, mesatarisht kanë ndodhur rreth 200 ngjarje artistike me rreth 50.000 vizitorë.