Dallimet tejkalohen përmes kulturës

Kultura March 16, 2017 - 09:58

Në kuadër të “Salloneve të së martës”, të cilat organizohen nga D4D-Democracy for Development, në kafe-librarinë Dit’ e Nat’, në Prishtinë, u mbajt edhe debati “Kultura dhe Arti- Riafrimi dhe tejkalimi i dallimeve”.

Për të diskutuar për këtë temë u mblodhën Zana Hoxha Krasniqi - drejtoreshë e organizatës Artpolis, Eliza Hoxha-arkitekte dhe Zoran Ristić-drejtor i GETO Teatrit në Graçanicë.

Drejtoresha e Artpolis, Zana Hoxha Krasniqi, konsideroi se tashmë dihet që në Kosovë nuk  mungojnë talentet, nuk i mungon kreativiteti dhe sipas saj  sa herë dëshirojmë ta paraqesim Kosovën në një perspektivë më pozitive përmendet kultura, por kur bëhet fjalë për fonde, kultura gjithmonë mbetet e fundit.

“Kultura dhe arti janë të pandashme, unë po flas për pjesën e zhvillimit artistik, jo vetëm për trashëgimi, por të njëjtën kohë edhe si kërkim, si proces që u mundëson grupeve dhe artistëve individualë që të shprehin diçka që komunikon edhe me të tjerët dhe natyrisht edhe t’i shprehin nevojat e tyre. Për mua është me rëndësi që nëse dikush mburret me bashkëpunimin që artistët në Kosovë dhe në Serbi e kanë treguar gjatë këtyre viteve, si një prej përvojave më pozitive të bashkëpunimit, për dallim nga politika dhe sektorët e tjetër që nuk e kanë gjetur këtë bashkëpunim. Një nga çelësat e sukseseve të artistëve ka qenë pikërisht mos paragjykimi dhe interesimi që ta shohësh tjetrin ose tjetrën si të barabartë dhe si artist, pa marrë parasysh etninë”, tha Krasniqi.

Edhe për arkitekten Eliza Hoxha, kultura është një platformë më e gjerë që nuk lidhet vetëm me atë se çka prodhon skena e artit por në kuptimin e përgjithshëm se çka prodhon qyteti, sepse sipas saj, qyteti është një lloj skene që ndodhin të gjitha ngjarjet kulturore dhe të artit.

“E para është nga brenda, sepse ne s’kemi mundur të mbërrijmë si sektor që të konsolidohemi, gjithmonë ka grupe të caktuara që nganjëherë luftojnë brenda llojit për grande të vogla për një çështje që është e caktuar, sepse skema e grandeve që ka ardhur nga donatorët e huaj është e dirigjuar prej tyre në shumicën e rasteve. Ata e përcaktojnë në njëfarë forme rrjedhën e aktiviteteve që duhet të ndodhin dhe pse duhet të ndodhin, e shumica e organizatave që merren me organizime kulturore mundohen që interesat e tyre që i kanë me statut brenda me i përshtat që ta bëjnë punën e tyre mirë dhe t’i adaptojnë me agjendën e donatorit e që kjo është shumë e zorshme”, pohoi Hoxha, duke shtuar se në Kosovë, problemet janë edhe nga brenda por edhe të imponuara nga jashtë.

Ajo po ashtu u pajtua me atë se skema e menaxhuar nga fondet publike është sikur të t’i gjuaj dikush disa trosha, sepse sipas saj, kultura nuk shihet si një platformë që e zhvillon aspektin social në Kosovë, e ndihmon në kuptimin sociologjik, kuptimin emocional dhe atë ekonomik. 


“Kjo vjen nga parlamenti, kur buxheti më i vogël i drejtohet kulturës. E nëse flasim për atë se çka e mbanë kulturën, për njerëzit që duhet të prodhojnë, të punojnë e të thonë diçka, por edhe të materializohen nga ajo punë, është ligji për sponzorizime i cili nuk e di çfarë po ndodhë, asnjëherë nuk është adresuar deri në fund, ai do e kishte ndihmuar goxha shumë këtë pjesë, aty ku fondet publike ose grandet janë më të vogla ose kanë agjenda të tjera”, u shpreh Hoxha.

Drejtori i GETO Teatrit në Graçanicë, Zoran Ristić, tha se duhet të ketë një transparencë më të madhe ndërmjet serbëve e shqiptarëve dhe përmendi artistët kosovarë që kanë dhënë kontribut edhe në kinematografinë e Beogradit, por edhe suksesin e filmit “Shok” në Oscars dhe sukseset tjera kulturore të Kosovës.

“Mendoj që duhet të flasim hapur për problemet dhe për gjithçka tjetër, Kosova ka pasur shumë aktorë të mirë, dhe e dimë që gjysma e aktorëve të mirë në Beograd, kanë lindur në Kosovë”, tha Ristić.

Ky debat u organizua nga D4D dhe AKTIV, ndërkaq u moderua nga Mustafa Skender, nga AKTIV.

Rikujtojmë se në kuadër të salloneve të së martës ditë më parë u mbajt edhe diskutimi “Krenarë të pambështetur: Bafta, Oskar, Çfarë i duhet tjetër këtij vendi për të përkrahur talentet/ët?” ku panelistët Blerta Zeqiri, nga Shoqata e Producentëve të Kosovës, Shpend Qamili nga Zyra e Koordinatorit për Kosovë të Kombeve të Bashkuara (UN) dhe Drejtori Ekzekutiv i Festivalit DokuFest, Eroll Bilibani shpalosën eksperiencat e tyre.