#Kinopërqytetin – iniciativa për mbrojtjen e kinemasë së Pejës

Kultura March 14, 2017 - 10:42

Ndonëse festivalit “AniBar” i ishte besuar menaxhimi i kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë për 15 vite, drejtuesve të “AniBar”-it u është bërë e ditur se agjencia kosovare e privatizimit ka marr vendim që kinemanë ta vendos në procesin e likuidimit për arsye të procedurave të papërfunduara, të cilat janë vendosur gabimisht në rend të parë.

Kjo u bë e ditur të premten e kaluar, natën kur kjo kinema hapi programi për këtë vit me filmin që është co-production mes Kosovës e Britanisë, “Home”, e që triumfoi në “BAFTA”.

“Ky vend, kinemaja, për krejt çka jemi këtu, prezanton atë memorien e përbashkët që ne e ndajmë dhe e përcjellim prej vitit në vit tek gjeneratat e ardhshme. E për atë arsye edhe është vendos në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore, jo pse ka ndonjë arkitekturë të veçantë po bash që prezanton memorien tanë të përbashkët. Që është një vend në këtë hapësirën që e ndajmë bashkë (qytetin tonë) që ne mundemi me u kthy, edhe me u ndje prapë si në shtëpi”, tha Vullnet Sanaja, drejtor i “AniBar”-it. “AniBar” ka nisur menjëherë një peticion kundër këtij vendimi, transmeton "Zeri.info".

Gjithashtu ata kanë filluar edhe një kampanjë protestuese në rrjetet sociale me moton “Kinemaja është e qytetit!” Stafi i kinemasë bën thirrje për të përkrahur iniciativën për shpëtimin e kinemasë Jusuf Gërvalla nga privatizimi duke vendosur njërën nga fotot e albumit “Kinemaja është e qytetit!” në profil, në rrjetin social Facebook.