Lamtumirë Hadi Shehu!

Kultura March 14, 2017 - 09:56

Qytetarët e Gjakovës dhe të gjithë Kosovës, i kanë dhënë lamtumirën e fundit artistit të njohur Hadi Shehu.

Me mbledhjen komemorative që u mbajt në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, mesditën e 13 marsit, e duke vazhduar pastaj me homazhe para trupi të pa jetë, ata e nderuan njërin nga aktorët më të mirë të gjeneratës së vjetër.

Familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët e dashamirët e përcollën Shehun në varrezat e qytetit të Gjakovës, në ora 15:00.

Gjithë komuniteti artistik ka mbetur i prekur nga kjo humbje. Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës i ka shprehur ngushëllimet më të thella familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij të shumtë.

“Si një nga aktorët më të shquar të skenës sonë teatrore dhe filmike, aktori Hadi Shehu, për plot 40 vjet, prej vitit 1976 e këndej, me mbi 170 rolet e tij, përkatësisht me pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij skenike, identifikohet kryesisht me Teatrin e Gjakovës, ndërkohë që, me disa nga kryerolet e tij filmike, ai vlerësohet si një nga yjet e televizionit dhe të kinematografisë sonë kombëtare. Me emrin, jetën dhe veprimtarinë e tij artistike e publike identifikohet edhe një periudhë e gjatë dhe e rëndësishme e drejtimit të Teatrit Popullor të Gjakovës, të cilin ai, prej vitit 1981 – 1996 dhe më pas prej vitit 1999 - 2006, e udhëhoqi dhe e menaxhoi në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm. Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës vlerëson se vdekja e aktorit Hadi Shehu është një humbje e madhe për artin tonë teatror dhe kinematografik. Emri, jeta dhe vepra artistike e Hadi Shehut përfaqësojnë jo vetëm shkëlqimin e tij si aktor dhe njeri i teatrit e i filmit, por, me vlerat dhe përmasat e saj, edhe një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e artit skenik, televiziv dhe filmik kombëtar. Me ngjyrimet, shkëlqimin dhe me gamën e gjerë të roleve të tij të shumta, aktori Hadi Shehu do të vazhdojë të jetë shëmbëlltyrë për brezat e artistëve tanë të rinj. Vepra e tij e madhe artistike e krijuese është dhe do të mbetet një testament i jashtëzakonshëm frymëzues për ne të gjithë”, shkruhet ndër të tjera në telegramin ngushëllues të SHATK-së.

Dramaturgu dhe kolegu i Hadi Shehut, Haqif Mulliqi, është shprehur i pikëlluar me rastin e vdekjes së ish kolegut. Mulliqi ka treguar se Shehun përveç se shok e koleg e ka pasur edhe si vëlla.

“Dhembja është tepër e madhe dhe nuk po di e as nuk po mund t’i përzgjedh fjalët që i meriton të përshkruhet personaliteti i tij, vërtet. Thjeshtë, nuk po mundem ta besoj – H a d i u, miku im më i veçantë, më i dashur dhe më i papërsëritshëm në jetë, të cilin pata fat ta njihja për katër dekada e më shumë. Hadiu, me të cilin notuam nëpër jetën tonë reale dhe artistike me plotë dhembje, shpresë dhe dashuri njerëzore. Hadiu ishte vëllai im i përzgjedhur”, ka shkruar Mulliqi.

Publicisti dhe gazetari Halil Matoshi ka kujtuar se brezi i Hadi Shehut e ka krijuar identitetin artistik të Kosovës.

“Me ikjen e Hadi Shehut pothuajse po shuhen figurat kryesore të epokës së artë të teatrit dhe filmit kosovar të viteve '70. Gratë dhe burrat e brezit të Hadi Shehut e kanë krijuar identitetin artistik të Kosovës”, ka thënë Matoshi.

Për ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Shala, vdekja e aktorit Shehu është një humbje e madhe për artin e kulturën shqiptare.

“Ndarja nga jeta e aktorit Shehu është humbje e madhe për familjen, miqtë, artin  dhe kulturën shqiptare, për teatrin dhe filmin e Kosovës, ku Hadiu kontribuoi me devotshmëri dhe la gjurmë të pashlyeshme. Hadi Shehu dhe puna e tij e palodhshme, janë trashëgimi e vlefshme për artin dhe kulturën  tonë, andaj edhe kujtimi për të do të jetë i përhershëm. E nderuar familja Shehu, miq të Hadiut, pranoni ngushëllimet e mia për humbjen tuaj të madhe”, është shprehur ministri Shala.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka shprehur ngushëllime familjes Shehu me rastin e vdekjes së aktorit Hadi Shehu.

“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e aktorit të madh, Hadi Shehu. Me veprimtarinë e tij krijuese dhe artistike, ai ishte një pasuri e madhe e artit shqiptar në përgjithësi. Ngushëllime familjes Shehu dhe gjithë komunitetit artistik në Kosovë”, ka shkruar Thaçi.

Rikujtojmë se Hadi Shehu ishte themelues i Teatrit Profesionist në Gjakovë dhe njëherësh drejtor i këtij institucioni deri në vitin 2007. /ZËRI/