Kriza morale qeveris edhe ekzistencën tonë letrare
Në rubrikën e rregullt “Jepi Zërit” sjellim poetin dhe publicistin nga Shqipëria, Petrit Nikën, i cili këto ditë pret t’i botohet vëllimi i katërt poetik “Hija e pyllit urban”. I takon brezit të poetëve të pas viteve 90. Dallohet për stilin e konsoliduar të një poezie me thelb filozofik ekzistencial.
Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?
Njëra nga pyetjet që bëj tani shpesh e më shpesh është: Vallë a do të kem fatin të mos vuaj nga humbja e kujtesës kur të më trokasë mosha e pleqërisë? Im atë i kaloi vitet e tij të fundit me sëmundjen e alzheimerit. Nga ana tjetër përpiqem të mos e mendoj shpesh këtë, por sa herë e mendoj, tronditem. Kujtesa është investimi më i madh që ka arritur njeriu të krijojë në jetën e tij. Janë përvojat e pafundme, rrugëtimi i gjatë në jetë, urtësia që e përbëjnë atë. Nëse i humbet, është më keq se vdekja.
Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?
Në hapësirë unë përshkoj të paktën rreth pesëdhjetë - gjashtëdhjetë kilometra pothuajse çdo ditë. Ky është raporti i qenies sime fizike me hapësirën. Përveç këtij udhëtimi të zakonshëm, mund të flas për udhëtimet e tjera që mjet udhëtimi kanë jo autoveturën, por Pegasin mitologjik. Udhëtimi është njohje. Realisht mua më pëlqejnë udhëtimet dhe jam përpjekur që sa herë udhëtoj diku, të shoh sa më shumë, të dëgjoj sa më shumë, të zbuloj sa më shumë dhe të memorizoj çdo përvojë të përftuar prej udhëtimeve të mia. Në këto momente ndjej se Itaka ua kalon të gjitha mbretërive të tjera. Ajo është më e shtrenjta. Vetëm ajo të pret me padurim të kthehesh ashtu siç je nga të gjitha kuturisjet e tua në vende të largëta. Kimia jote mendore bart karakteristikat e materies së saj.
Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?
Mendoj se çdokush që ju mund të zgjidhni nga audienca juaj për t’ia bërë këtë pyetje do të hepohej pak para se të zgjidhte një titull për t’iu përgjigjur. Nga përvoja ime me leximet, përgjigja e kësaj pyetje merr pohime vlerash relative. Po të më bënit këtë pyetje kur isha vetëm 12 vjeç, do të thosha se më vjen pareshtur në mendje romani “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersonit me patat e egra” të Selma Lagerlëf, apo “Xhim Kopsa dhe Lukas makinisti” të Mihael Ende. Këtu e njëzet e ca vjet më parë, mbase do të thosha me plot gojën për romanin “Ismaeli” të shkrimtarit argjentinas Eduardo Asevedo Diaz, një roman historik ky, por me elementë të theksuar të romantizmit. Aty nga pragu i vitit dymijë do të theksoja “Emrin e trëndafilit” të Umberto Ekos, “Dymbëdhjetë tregime pelegrine” të Markezit, por edhe dhjetëra libra të letërsisë së mirë e të paharrueshme do të më vinin njëherësh në mendje.
Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?
Nuk ndihem pothuajse fare. Domethënë më duket sikur nuk jam. Të paktën për sa i takon qenies sime që lidhet me artin e të shkruarit. Kriza morale qeveris edhe ekzistencën tonë letrare. Është një krizë e akumuluar në vite, por tani ka marrë përpjesëtime vrastare. Siç e thotë dhe Oktavio Paz, që në kohën e romantizmit u dhanë shenjat e para të kundërshtisë së letërsisë ndaj modernizmit. Letërsia moderne në thelb është e tëra në kërkim të parajsës së humbur. Ndërsa modernizmi, nuk ka ndaluar për asnjë çast, përkundrazi, letërsia është ajo që sot konsiderohet mall i pavlerë. Në televizione promovohen dhuna, seksizmi, pornografia, degradimi i plotë moral, përmes filmave, përmes muzikës, përmes debateve në produksionet e kompanive mediatike, ku mungon elementi kriticist, bartësit e të cilit i druhen daljes së tyre nga trendi i përgjithshëm social që kanë ngritur industritë e mëdha të cilat kontrollojnë pamëshirshëm çdo gjë.
Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?
Kultura është ajo që na mungon më së shumti. Bumi industrial e ka atrofizuar habitatin e zhvillimit të saj. Në këtë habitat shpirtëror të mbetur djerrë lind dhe zhvillohet çdo gjë, por jo kultura. Dhe këto kinse-kultura merren si kultura dhe eklipsojnë atë të vërtetën. Si ato motrat e shëmtuara dhe budallaqe që i ofrohen princit në vend të Hirushes. Sot është vështirë të promovosh një identitet kulturor. Mund ta formosh, mund ta frenosh, por jo ta promovosh. Të paktën jo pa u bërë pjesë e ingranazheve të mekanizmit të sofistikuar të ekonomisë së tregut dhe politikave që favorizojnë dominimin e tij.
Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?
E djeshmja uroj të mos përsëritet kurrë dhe të kujtohet si një model të cilit nuk duhet t’i ngjajë e sotmja. E sotmja është një tymnajë e madhe ku baret njeriu i epokës kibernetike në kërkim të identitetit të tij. E nesërmja? Sido që të jetë, do të vuaj nga pasojat që lë e sotmja.
Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?
Si pikturë që flet me gjuhën e së djeshmes dhe të sotmes do të përmendja “Refugjatët” të Abdurrahim Buzës. Është një pikturë me portrete tronditëse. Nga poezitë do të përmendja poezinë “Udha e kryqit” të Pol Klodelit, jo për sensin e religjionit, por për madhështinë e besimit në aktin madhështor të sakrifikimit për të tjerët. Nga muzika do të zgjidhja Hendelin. Por unë dëgjoj me ëndje edhe muzikën e vendeve të orientit e cila më nxit në meditim. Nga filmat e fundit që kam pëlqyer do të përmendja “The fllowers of War”, një film me regji të Zhang Yimou, i cili është përshtatur sipas romanit “13 lulet e Nanjingut” të shkrimtares kineze Yan Geling.