PriFest hap aplikimin për 'Best Pitch 2017'

Kultura February 23, 2017 - 08:31

Një nga festivalet më të mëdha në vend, “Prishtina International Film Festival”, ka hapur thirrjen për projekte filmike për garën e “Best Pitch”, për edicionin e ardhshëm të PriFest, që mbahet në kryeqytet.

Thirrja për aplikim i dedikohet të gjithë producentëve dhe regjisorëve nga Ballkani që kanë në fazë zhvillimi projektin e tyre filmik të parë apo të dytë.

Data deri kur mund të dorëzohen projektet është 15 mars 2017. Projektet e përzgjedhura do t’i nënshtrohen trajnimeve me ekspert të huaj dhe prezantimit para jurisë ndërkombëtare për t’u përzgjedhur fitues të njërit nga shpërblimet që ofron festivali me partnerë. Për më shumë informata shikoni thirrjen më poshtë apo vizitoni wbfaqen e PriFest www.prifest.org.

Tashmë dihet se këtë vit PriFest shtrihet mes datave 20 e 27 prill.

Edicioni i 9-të i festivalit PriFest gjatë një jave në pranverë pritet të sjell në Prishtinë një numër të madh të mysafirëve artistë dhe profesionistë të industrisë së filmit nga rajoni, Evropa e bota, por duke mos lënë anash edhe programin e veçantë të shumë filmave premierë që mund të ndiqen vetëm gjatë këtij festivali.

Rikujtojmë se vitin e kaluar PriFest mbajti në Prishtinë edicionin e 8-të pas mbajtjes së edicionit të 7 në ekzil, në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë. Në shtëpinë e vet ky festival u kthye me përmasa më të mëdha.

Në prill të 2016-ës ky festival nisi me filmin “Mediterrana” të regjisorit Jonas Carpignano dhe shpalosi programin, që i ndarë në disa programe, përfshiu rreth 70 filma në kinema të hapur në amfiteatrin e sheshit “Zahir Pajaziti” dhe në sallat e Pallatit të Rinisë, Sallë të Kuqe dhe Atelie.

PriFest solli gjithashtu në kryeqytet ngjarjen e përvitshme të festivalit, “PriFORUM”, mundësinë për të gjithë filmbërësit e rinj, “Kino Kabaret”, projektet “Prishtina Rendezvous, “Best Pitch Competition”, “Green Film Project”, bashkëpunimin me shkollën amerikane në Kosovë, ASK, e aktivitete të tjera. /ZËRI/