Ekipi i filmit ‘Home’ rrëfen për suksesin

Kultura February 22, 2017 - 12:18

Sot në Prishtinë u mbajt konferenca për shtyp ku u diskutua për shpërblimin e filmit “Home” me çmimin prestigjioz BAFTA në kategorinë e filmave të shkurtë. Në konferencë ishin të pranishëm një pjesë e ekipit të filmit nga Kosova, përfshirë producentin Shpat Deda dhe regjisorin Daniel Mulloy si dhe përfaqësues nga Forcat e Sigurimit të Kosovës, policisë së Kosovës dhe mbështetësve të tjerë, shkruan zeri.info.

Producenti Shpat Deda hapi konferencën duke prezantuar ekipin që qëndroi prapa produksionit të filmit dhe duke i falënderuar ata.

“Suksesi vjen në formën e tij më të bukur kur ndahet me njerëz të tjerë, dhe në këtë rast ka aq shumë njerëz me të cilët po e ndajmë. Ky është bekim i vërtetë! HOME e ka bashkuar grupin më të talentuar të njerëzve të rinj me të cilët e kam pasur kënaqësinë të punoj, dhe shërben si një provë shtesë mbi potencialin i cili ekziston në Kosovë. Ne duhet të ndërtojmë më shumë ura në mënyrë që talenti Kosovar ta gjejë rrugën në qendrën e vëmendjes botërore sepse tanimë kemi mjaft suksese që na e dëshmojnë se kjo është e mundshme”, tha Deda.

Image

HOME është i pari produksion kosovar i cili shpërblehet me BAFTA ndërsa filmi pati një sukses të madh nëpër botë pas publikimit në kinematë e Britanisë së Madhe, përfshirë triumfin në mbi 15 shpërblime në festivale botërore dhe nominimin në Akademinë Evropiane të Filmit.

Regjisori i filmit, Daniel Mulloy, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Kosovën për realizimin e këtij projekti.

“Kosova është vend i jashtëzakonshëm për të bërë filma. Njerëzit e ri kanë shumë talent dhe pasion dhe çdo gjë është e mundur këtu. Mbështetja nga Kosova e bëri këtë film dhe ishte jashtëzakonisht e fortë. Ne kemi bashkëpunuar me shumë institucione përfshirë me policinë dhe me Forcat e Sigurimit të Kosovës, të cilët i kanë sjellë shumë filmit përmes eksperiencës dhe pasionit të tyre. Filmi ynë synon të sjellë ndjeshmëri ndaj krizës aktuale të refugjatëve dhe populli i Kosovës dha aq shumë për të mbështetur këtë mesazh. Ka aq shumë mëshirë, bashkëndjesi dhe talent këtu në Kosovë sa që tanshmë është vulosur në secilin kuadër të filmit tonë. Mbështetja që populli i Kosovës na ka dhënë, nga Prishtina në Prizren, është forca më e madhe e filmit tonë. Janë përpjekjet e secilit nga këta individë që kanë mbledhur dhe krijuar këtë sukses. Kjo do të thotë se mesazhi i bashkëndjesisë së filmit dhe të kuptuarit ndaj refugjatëve dhe agonisë prej të cilës ata po ikin do të rezonojnë edhe më tej me publikun përreth botës”, u shpreh Mulloy.

Image

Në konferencë ishin të pranishëm një pjesë e ekipit të ‘Home’ nga Kosova, të cilët ndanë me të pranishmit përvojat e tyre personale të realizimit të projektit. Zëri