'Minatori' ende mbushë sallat plotë

Kultura February 21, 2017 - 08:39

Një nga grupet më me në zë, në kohën e paraluftës në Kosovë, atëherë kur muzika rok lulëzonte, grupi “Minatori”, nuk është më aktiv në skenën muzikore të vendit me projekte të reja.

Ky fakt duket se nuk i ka penguar grupin që të mbahen në mend dhe të kërkohen ende nga adhuruesit e muzikës së tyre.

Në njërin nga baret me më në zë, në Prishtinë, ishte pikërisht ky grup me të cilin një numër i konsiderueshëm i qytetarëve vendosën ta shënojnë përvjetorin e 9-të të shtetësisë së Kosovë.

Bashkë me Naser Gjinovcin, qytetarë të brezave të ndryshëm, kënduan “Të dua sa Kosovën”, këngë e kompozuar në vitin 1986, nga Migjen Kelmendi i grupit “Gjurmët”, që u dëgjua më së shumti në versionin e grupit “Minatori” e u përpunua më pastaj në dhjetëra versione të tjera.

Në mesin e publikut, për të nderuar grupin dhe shijuar muzikën e tyre, ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili qëndroi për disa ditë në Kosovë, duke marrë pjesë në ngjarjet kryesore që shënuan Ditën e Pavarësisë.

“Jam lodh me diktaturë”, “Mihane”, “Babai im”, “Molla me sherbet”, “A thua ëndërr ishe ti”, “Shfletoj gazetën” e shumë këngë të tjera që trajtonin problematika politike e sociale të kohës, jehuan sërish për gjeneratën e moshës së mesme, që i kujton me nostalgji, e për të rejën, që është kurioze për muzikën e dekadave të kaluara.

“Jam gëzuar shumë para pak ditësh kur pashë njoftimin se ‘Minatori’ këndon live në Ditën e Pavarësisë. Ky është grup i rinisë time dhe këngët e tyre ishin në një far forme frymëzim i gjitha lëvizjeve të atyre ditëve të vështira, kur gjithçka kishte tjetër rëndësi dhe çdo veprim kishe pasoja të mëdha. Për gjeneratën time, të rritur mes protestash e të mbijetuar të luftës, nuk ishte aq lehtë e imagjinueshme që do ta presim 9-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe bashkë me Naserin do të këndonim ‘Babai im është punëtor..’”, tha ndër të tjera për Gazetën Zëri Agim Rushiti, qytetar nga Prishtina.

Për më të rinjtë në moshë, ndonëse muzika e grupit nuk është muzikë e ditëve të fundit, vazhdon të jetë e pëlqyer. Shumë prej tyre pohojnë se grupin e pëlqejnë për shkak të teksteve përmbajtësore e muzikës me vlera, për dallim nga ajo muzikë që ditëve të sotme është komerciale dhe merr vëmendjen e shumicës.

Anëtarët e grupit deri më tani nuk kanë paralajmëruar ndonjë rikthim me këngë të re, apo ndonjë koncert jubilar, siç është bërë praktikë viteve të fundit. Kujtojmë grupin “Gjurmët” që shënoi 30-vjetorin me një koncert madhështor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në fund të vitit 2015, apo grupin “Marigona” që së fundi erdhën me një seri koncertesh nëpër disa qytete të Kosovës.

Nuk dihet nëse “Minatori” ka në plan diçka të tillë, megjithatë një gjë është e sigurt, publiku nuk do t’i mungonte. /ZËRI/