Më në fund sheh dritën fjalori i endesheistit Raif Halimi

Kultura February 20, 2017 - 15:41

Në Gjermani, nën përkujdesjen e vajzës së tij, Afërdita Halimi, më në fund pa dritën fjalori shqip-serbokroatisht i endesheistit dhe njërit nga antikomunistët e pakët shqiptar, Raif Halimit. Raif Halimi u lind në fshatin Cërnicë të Gjilanit, më 15 shkurt 1926. Për arsye të veprimtarisë së tij atdhetare, më 1945 u dënua me pushkatim. Për shkak të moshës jomadhore, pati një amnisti, përmes së cilës dënimi iu shndërrua në 20 vjet burg të rëndë, prej të cilave pothuaj 18 vjet burg i mbajti në Mitrovicën e Sremit.

Gjatë qëndrimit në burg, Raif Halimi shkroi fshehurazi një histori të popullit shqiptar. Ai shkrim u zbulua nga pushtetarët e kohës ndaj u dënua edhe njëherë me mbi 8 vite izolim. Për t’i mbijetuar gjithë ato persekutime, gjeti forcë për të shkruar fjalorin e parë shqip-serbokroatisht.

Në vitin 1962, Raif Halimi u lirua nga burgu. Ai ia ktheu burgut shpinën me një fjalor voluminoz. Shtypi i atëhershëm bënte reklamë, se burgjet e ish-Jugosllavisë janë aq të mira, saqë ia mundësojnë të burgosurve edhe përpilimin e fjalorëve!

Raif Halimi, vdiq më 01 maj 1999, pak ditë para çlirimit të Kosovës, duke mos e lëshuar të gjallë atë. Ai la në dorëshkrim fjalorin e parë shqip-serbokroatisht. Fjalori është shkruar në gegërishte, ashtu siç janë shkruar edhe dokumentet më të vjetra të shqipes.

Raif Halimi, fjalët i kishte shkruar në skajet e gazetave dhe i kishte fshehur në thes. Kur dilte në shëtitje të burgut, gardianët ia shqyenin dhe zhduknin ato shënime. Dikur kishte filluar ta merrte thesin me vete në shëtitjet e tij të burgut. Në atë mënyre i ruante shënimet e tij, të cilat filloi t’i shkruajë nëpër fletore. Thuhet se fjalori i ka përafërsisht 74 mijë fjalë. Një verifikim të tillë mund ta bëjnë në të ardhmen leksikografët dhe gjuhëtarët në përgjithësi.

Raif Halimi, fjalorin e kishte përpunuar tri herë. Për shkak të volumit, botimi është ndarë në dy pjesë. Fjalori është me kopertina të trasha dhe ka 1872 faqe. Pjesa e parë ka 940 faqe, pjesa e dytë ka 932 faqe. Fjalori i Raif Halimit, u botua në dhjetor 2016, në Gjermani. Pushteti i atëhershëm e donte fjalorin, por pa emrin e tij.

Amanetin e Raif Halimit, e ka realizuar e bija e tij Afërdita Halimi, nëpërmjet shtëpisë botuese “Alkopress”, në Bon të Gjermanisë.