Mjeshtri që estetizon realitetin e deformuar

Kultura January 18, 2017 - 08:31

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është vizatuar i hipur mbi një autobus.

Duke treguar me dorë në mënyrë triumfale Ahmeti është paraqitur i lumtur për përfundimin e projektit të tij që përfshiu blerjen e disa autobusëve të rinj për trafikun urban në kryeqytet.

Kështu e ka komentuar përmes karikaturës së tij artisti Bujar Qeriqi, përfundimin e këtij projekti të shumë përfolur së fundi.

Por krahas Ahmetit në faqen e Qeriqit vijnë në formë karikature edhe shumë personazhe të njohura për publikun.

Artistë, politikanë, gazetarë... Aty gjejmë presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa, politikanin e biznesmenin Behgjet Paolli, gazetarët Halil Matoshi e Milaim Zeka, shkrimtarin Ismail Kadare. Lista vazhdon me Albin Kurtin, Atifete Jahjagën, Ganimete Musliun, Fadil Vokrrin, Majlinda Kelmendin, Barack Obama-n, Bill Clinton-in, Migjen Kelmendin, Fatmir Sapihun, Cristiano Ronaldo-n, e të tjerë.

Për Gazetën Zëri, Bujar Qeriqi, tregon se arti i karikaturës e ka tërhequr atë qysh nga mosha e fëmijërisë.

“Me karikaturë unë merrem qysh si fëmijë. Më kujtohet që karikaturën e parë e kam bërë sa kam qenë në shkollë fillore”, thotë Qeriqi duke shtuar se shtypi i asaj kohë ka ndikuar në zhvillimin e këtij pasioni.

“Unë vazhdimisht i përcillja gazetat e asaj kohë. Përfshirë këtu gazetat ‘Rilindja’ dhe ‘Zëri i rinisë’ e pastaj revistat satirike ‘Thumbi’ e ‘Morri’ ku frymëzohesha nga karikaturistët e saj kohe, që ishin shumë cilësor”, kujton Qeriqi.

Ai thotë se thumbimi, që i karakterizon këto ilustrime artistike, është gjëja më tërheqëse e këtij lloji të vizatimit.

“Arti i karikaturës është një ilustrim humoristik që tepron ose shtrembëron thelbin e thjesht të një personi, sendi, ngjarje ose dukurie për të krijuar një ngjashmëri identifikuese të lehtë pamore. Dhe këtu hyn ajo më tërheqësja, thumbimi, ku kryesisht thumbohet politika e dukuritë negative në shoqëri”, thotë Qeriqi.

Megjithatë punimin e fundit me Ahmetin thotë se e ka bërë si mirënjohje e vlerësim për punën e tij, që Qeriqi e konsideron të palodhshme.

“Së fundi kam prezantuar një karikaturë me kryetarin e kryeqytetit të Kosovës, Shpend Ahmetin. Nga perspektiva ime prej artisti, Prishtina duket sikur po rimëkëmbet fal angazhimit dhe punës së palodhur të kryetarit Shpend Ahmeti dhe ne duhet ta ndihmojmë kryetarin. Unë si artist e kam vlerësuar punën e Shpendit për Prishtinën”, tregon Qeriqi.

Të gjitha punimet e tij Qeriqi i promovon rregullisht në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, që titullohet “Bujaar Qeriqi Karikaturist”. Aty dashamirët e artit i gjejnë punimet e përditësuara.

“Unë pothuajse çdo ditë i publikoj në faqen time nga dy karikatura”, tregon Qeriqi.

Ai thotë se Kosova është vend tepër i përshtatshëm për frymëzim, duke pasur parasysh gjitha problemet ekonomike e sociale.

“Duke qenë pjesë e një shoqërie që ka probleme ekonomike, sociale e politike, karikaturisti është një shikues i teatrit jetësor. Janë pikërisht këto temat dhe problemet me të cilat ne ballafaqohemi ato që unë i sjell përmes karikaturës, protestës, thumbimit e pakënaqësisë, përmes armës time, lapsit”, thekson Qeriqi.

Puna e tij është prezantuar edhe në ekspozitën e Shoqatës së Karikaturistëve të Kosovës “Thumbi”, ku ai ishte i ftuar, por në vendin tonë organizimet e tilla janë të rralla.

“Mjerisht nuk ka shumë organizime që mbështeten nga institucionet për këtë lloj arti”, thotë Bujari, duke shtuar se kjo po ndikon keq edhe në motivimin e karikaturistëve dhe zhvillimin e karikaturës në Kosovë.

“Karikatura e mirëfilltë artistike në Kosovë mungon. Fatkeqësisht edhe ata karikaturistë që merren me karikaturë nuk vlerësohen dhe njëkohësisht nënçmohen nga shoqëria, mediet e shkruara e elektronike, sepse në Kosovë nuk kemi kulturë të karikaturës, po flas për karikaturë të mirëfilltë. Dhe kjo është e keqja e madhe e këtij arti. Pra, edhe ata karikaturist të pakët që krijojnë karikaturë të mirëfilltë dekurajohen”, shprehet Qeriqi duke shtuar se ndonëse përpiqet gjithmonë të kultivojë një karikaturë të mirëfilltë, ai nuk njihet shumë, sepse nuk ka pasur hapësirë ta promovojë vetën, megjithatë ai po vazhdon të merret me këtë lloj arti, sepse e do.

Artisti nga Krojmiri i Lipjanit ka studiuar në Fakultetin e Arteve Figurative, në Degën e Pikturës dhe punon si profesor i Artit Figurativ në një shkollë në Lipjan. /ZËRI/

Image

Image