Ndizet Flaka e Janarit në Gjilan

Kultura January 13, 2017 - 08:33

Teatri i qytetit të Gjilanit, më 14 e 15 janar, do të hap dyert për disa filma. Në kuadër të manifestimit “Flaka e janarit” aty do të mbahet mbrëmja “Film Flaka”, ku me fillim nga ora 19:00 do të shfaqen disa filma të metrazhit të shkurtë.

Nga programi zyrtarë i manifestimit kuptojmë së aktivitetet kulturore vazhdojnë me ekspozitë kolektive të arteve pamore. “Peneli i flakës” do të hapet më 17 janar, me fillim nga ora 17:00, për të gjithë dashamirët e artit.

Në kuadër të këtij manifestimi do nderohet në përvjetorin e vdekjes së tij edhe ish-presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Njëmbëdhjetë vjetori i vdekjes së Rugovës do shënohet më 21 janar, në sallën e Teatrit të Gjilanit, me fillim nga ora 16:00.

Edhe këtë vit “Flaka e Janarit” mirëpret trupa teatrore nga shumë vende shqipfolëse. Mes datave 23-27 janar në Gjilan do të mbahet “Festivali i Dramës shqipe”. Adhuruesit e teatrit do kenë rastin që për pesë ditë me radhë në Gjilan të përcjellin lojën e aktorëve vendas e mysafirë.

Me fokus tek ruajtja dhe promovimi i vlerave do të mbahet më 28 janar aktiviteti  “Trashëgimia e flakës”, në ambientet e Muzeut të Qytetit të Gjilanit.

Dashamirët e fotografisë më 29 janar do kenë rastin të vizitojnë festivalin e fotografisë “Foto Flaka”, me fillim nga ora 17:00, kurse adhuruesit e folklorit dhe muzikës epike shqiptare mund të marrin pjesë në aktivitetin “Folk Flaka”, që do mbahet në Muzeun e qytetit, me fillim nga ora 19:00.

Data 30 janar, në këtë manifestim është rezervuar për fëmijët dhe për dashamirët e fjalës së shkruar. Në mesditë do të mbahet festivali i këngës për fëmijë “Xixat e flakës”, në Sallën e Teatrit të Qytetit, kurse me fillim nga ora 16:00, në Sallën e Kuvendit mbahet ora letrare “Pena e Flakës”.

Aktivitetet e “Flakës së Janarit” mbyllen më 30 janar, me festivalin e muzikës popullore “Fest Flaka”, që mbahet në Teatrin e qytetit, në mbrëmje, me fillim nga ora 20:00.

Manifestimi tradicional, shumëkulturor e mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2017”, i cili po mbahet për herë të 26-të në nderim të dëshmorëve, heronjve e martirëve të rënë për lirinë e Kosovës, ndër të cilët veçohen Rexhep Mala e Nuhi Berisha, po mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Në ditën e parë të “Flakës” kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, e shoqëruar nga nënkryetari Rexhep Kadriu me bashkëpunëtorë, ka vizituar kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku janë pritur nga komandanti i Batalionitn të parë të BRSH-së, Haki Xhemajli, për të vazhduar më pas me homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe te lapidarët në qytet.