Gjergj Fishta- “Koha e ardhshme e Shqipnisë”

Kultura October 25, 2016 - 08:17

”Freskimi më i madh i mendjes është leximi i klasikëve të lashtë. Duke lexuar ata, ndihesh i çlodhur, i lehtësuar, i përmirësuar, i lartësuar dhe i kalitur; të duket sikur sapo ke shuar etjen në një burim të kulluar malor” - shkruan Artur Shopenhauer.’’ Gjergj Fishta, i vlerësuar si Homeri Shqiptar, është shkrimtari kombëtar i shqiptarëve, i cili njihet kryesisht me veprën epokale “Lahuta e Malcis”, që njëkohësisht është epi nacional i shqiptarëve. Veç kësaj kryevepre të kulturës shqiptare, ai njihet edhe për një sërë veprash me rëndësi në fushën e letërsisë. Ai u shqua edhe për kontribut dhe veprimtari të frytshme kombëtare.

Pa dyshim, Fishta dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në mendimin shqiptar. Ai, si themelues dhe drejtues i revistës ma prestigjioze shqiptare, “Hylli Dritës”, me shumë analiza e tekste, të shkruara me dije e kulturë u dëftoi shqiptarëve rrugën kah emancipimi, përparimi dhe liria e njëmend. Tekstet e shkruara atë kohë, me forcën e argumenteve, janë të freskëta dhe dobiprurëse edhe për kohën tonë dhe shqiptarin e shekullit XXI.

Gjergj Fishta, në tekstin ”Koha e ardhshme e Shqipnisë”, të botuar më 1923 në revistën “Hylli Dritës” ndër të tjera shkroi: “Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme: a) mbi pavarësinë politike, b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme, c) mbi ekonominë, d) kulturën dhe e) moralin. Revista “Hylli Dritës”, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u shndërrua në një institucion që synonte t’i bante shqiptarët në kohën kur ishte ba Shqipnia. Revista, duke bashkuar elitën ma të shëndoshë të kohës, pa asnjë dallim, i kontribuoi mendimit politik, arsimor, gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, ajo u shndërrua në një institucion emancipues, që i dha kulturë kombit shqiptar. Veç tjerash, kjo revistë i dha shpirt Shqipërisë, ndaj, me shumë të drejt Zef Pllumi, ai që e ringjalli “Hyllin e Dritës” e quajti “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.” Gjergj Fishta, duke shënuar këtë periudhë e duke qenë prijatar i saj, shkroi shumë tekste diturore, me të cilat iu dha domethënie e Teksti në fjalë, është një manual shumë i dobishëm edhe për kohën e sotme.

Një ABC politike e kulturore. Sidomos për m’i dhanë shpirt shtetit. Atë çka vërtet na mungon. Në tekstin në fjalë, Fishta, si erudit i vërtet, analizon pesë shtyllat themelore që mbajnë lartë ngrehinën shtetërore. Shkurtimisht, të shkëputura nga teksti i përmendur më sipër, ato janë: “Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë: T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik... Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë. “Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore.

Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën ehuazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë. Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem.” Përvoja universale ka dëftuar se këto parime, që i analizon në një tekst të gjatë Fishta, janë esenciale për një shoqëri të emancipuar, që aspiron të ecë krah për krahu me popujt e përparuar. Fishtën duhet ta lexojmë, sepse kështu luftojmë harresën dhe e freskojmë mendjen. Marrim mësim nga e kaluara dhe nëpërmjet saj, gjejmë shtigje për të ecur kah e nesërmja./Zeri/.