Kosova në Frankfurt

Kultura October 22, 2016 - 08:33

Në Frankfurt të Gjermanisë ka hapur dyert ajo që cilësohet si ngjarja më e madhe e librit në botë. Atje po zhvillohet edicioni i 68-të i Panairit të Frankfurtit, që sivjet shtrihet mes datave 19-23 tetor dhe po mirëpret botuesit nga shumë vende të botës si dhe vizitorët e shumët.

Atje po prezantohet edhe Shoqata e Botuesve të Kosovës. Siç njofton për Gazetën Zëri, Besian Zeneli, nga kjo shoqatë, 25 botues të Kosovës, me mbi prezantohen me mbi 200 tituj, nga të cilët më se 100 janë të rinj, të botuar brenda dy panaireve.

Botues pjesëmarrës janë që nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, shtëpitë botuesi si “Buzuku”, “Koha”, “Mendimi Pozitiv”, “Dija”, “Pema”, e deri tek ata që së bashku kontribuojnë në afirmimin kombëtar dhe ndërkombëtar të librit shqip.

“Edhe sivjet, sikur çdo vit tjetër, ka prezantim dhe aktivitete në hapësirën e Kosovës në Panairin e Frankfurtit. Përveç titujve të rinj, materialeve promovuese për letërsinë, kulturën dhe bukuritë e Kosovës, në gjuhen shqipe dhe angleze, ka edhe aktivitete të tjera si promovime të shkrimtareve nga Kosova, si dhe shkrimtarëve që jetojnë dhe veprojnë në diasporë”, tregon Zeneli.

Në një kumtesë për media të Shoqatës së Botueseve të Kosovës, thuhet se, për dallim nga vitet e tjera, sivjet ata janë të kënaqur me përkrahjen që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u ka dhënë atyre, për një paraqitje sa më të dinjitetshme në këtë panair.

“Dy fjalë për mbështetjen institucionale: Një vend qendror, dizajnuar sipas kërkesave estetike, stenda ka dukje të dinjitetshme të një stende nacionale, me elementet e theksuara shtetërore, arredimin, stendat, hapësira e mbuluar me kënde promovuese, ndenjëse për vizitorët, ndër të cilët jo pak bashkatdhetarë që jetojnë dhe krijojnë në këtë pjesë të Evropës janë të pranishëm. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, për t’u lavdëruar, sivjet ka mbështetur financiarisht shpenzimet rreth stendës, qirasë, pajisej dhe promovimit kulturor në aspektin më të shëndoshë në fushën e librit.

Vetë fakti se në ditën e parë kërkohen botime specifike nga bashkatdhetarët tanë, duke filluar nga veprat e autorëve bashkëkohorë shqiptarë e deri tek përkthimet e autorëve botërorë, të cilët janë emra nga nobelët e fundit e deri tek bestsellerët botërorë, dëshmon për një interesim për librin. Ata tani flasin shqip dhe stolisin stendën tejet ekspresive të Kosovës”, thuhet në njoftimin e SHBK-së.

Posterët e librave më të rinj të Veton Surroit, romanit “Përcaktimi i dashurisë i Marie Gjonit”, botuar nga “Koha”, apo vëllimi studimor i Kujtim M. Shalës, “Epistemologjia e dytë”, botuar nga Buzuku, pastaj me veprat e tjera të autorëve si Adem Gashi, Ilirie Zajmi, Jakup Krasniqi, Kasëm Trebeshina, Roland Gjoza e deri tek të huajt si Patrick Modiano (12 tituj), Svetlana Aleksievic (3 tituj), Mathias Enard, Edouard Louis, Jennie Dorny, Lucie Leanne dhe Juan Assensio, përbëjnë një pamje të dukshme të ekspozimit të librit shqip.

Pos Kujtesës së Rugovës, stenda e Kosovës kujton edhe përkthyesin e sapo ndarë nga jeta, prof. dr. Masar Stavilecin, sikundër me tri përkthime të dy nobelistëve francezë: Jean-Paul Sartre dhe Patrick Modiano si dhe me monografinë e ASHAK-ut për Gjelosh Gjokajn.

Sipas Shoqatës së Botuesve të Kosovës, vizita e përfaqësuesve të Konsullatës së Kosovës në Frankfurt dëshmon interesimin e diplomacisë shtetërore për të pasur Kosova një prezantim sa më dinjitoz në një nga

ngjarjet më të mëdha të fushës së librit në botës, Panairin e librit të Frankfurtit.

Sipas burimeve të Gaztës Zëri, në Frankfurt, atje botuesit kosovarë po negociojnë me Shoqatën e Botuesve Botërorë (IPA), për integrimin e tyre në këtë organizatë ndërkombëtare të rëndësishme të librit.

Element i veçantë i këtij panairi janë gjithmonë mysafirët e nderit, të cilët marrin një vëmendje dhe hapësirë të caktuar. Me moton ”Kjo është ajo që ne ndajmë", Flanders dhe Holand paraqiten sivjet si mysafirë të nderit të këtij panairi, me një program të gjerë letrar dhe kulturor që u shpalos në hapjen solemne të Panairit të Librit 2016 në Frankfurt, ku morën pjesë Mbreti dhe Mbretëresha e Holandës, përfaqësues të Parlamentit Evropian, përfaqësues të lartë politikë shtetërorë të Gjermanisë, Holandës, e më gjerë.

Vitin e kaluar u raportua se këtë panair e vizituan 276 mijë njerëz, 2% më shumë se në vitin 2014. Ai tri ditë ishte në dispozicion ekskluzivisht për gazetarë dhe njerëz të brendshëm të industrisë së botimeve, kurse në fundjavë u hap për publikun. Në 2015-ën ky panair po ashtu ka ofruar vizita falas për refugjatët gjatë fundjavës me ciceron që flisnin gjuhën e tyre.