Shoqëria që rrënohet shpirtërisht e ka vështirë të rimëkëmbet

Kultura October 09, 2016 - 08:54

Në rubrikën “Jepi Zërit” prezantohet shkrimtari, kritiku dhe publicisti Ndue Ukaj, krijimet e të cilit janë përkthyer në disa gjuhë të botës dhe i cili ka marrë shumë çmime letrare.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Përpiqem që faktet dhe fenomenet ekzistenciale t’i kuptoj dhe shpjegoj përbrenda logjikës së natyrës njerëzore, ndaj edhe nuk habitem shumë, nuk shtroj pyetje, sepse e di se përgjigjet mungojnë. Mungojnë gjithmonë përgjigjet: pse ekziston e keqja, luftërat, padrejtësitë, përbuzja, urrejtja, varfëria? Sepse e di se gjithmonë diçka mungon. Pse? Kjo është dilema e përhershme njerëzore.

E të jetosh me një botë të trazuar, ku e sheh sesi ndjesitë humane, artistike e kulturore po tkurren për çdo ditë, dilemat marrin përmasa shqetësuese dhe s’mund ta privohesh vetën nga pyetje e dilema nga më të sikletshmet, nganjëherë ekzistenciale, të tipit hamletian. Në këso rastesh, të duhet të identifikohesh me Hamletin, i cili e dinte se liria e vendit të tij është njollosë dhe se aty kishte zuzarë e vagabondë. Mirëpo, për ta mposhtur të keqen, çfarëdo lloji qoftë ajo, nuk besoj se ka armë tjetër, përpos të besojmë te e mira.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Udhëtimet e zakonshme janë udhëtime monotone, të cilat lidhen me detyrat që vijnë si rezultat i punëve që bëjmë. Zakonisht ne bëjmë më shumë se një udhëtim: një është fizik, i përcaktuar nga koha dhe mundësitë dhe një tjetër shpirtëror, që kalon hapësirat, ku kalojmë kohën fizike. I pari është rutinor dhe zhvillohet përbrenda një arkitekture pa shije, në ambiente të zhurmshme, ku mungon sensi për të bukurën e estetikën, dhe ku kultura e përgojimeve është e zhvilluar si asgjë tjetër.

Ndërsa udhëtimi shpirtëror është tejtërfare: është udhëtim fiksional nëpër galaktikat e artit, ku përpëlitem me të bukurën e pafundme të letërsisë, dhe kërkoj përgjigje për dilemat e përditshme. Më mahnit udhëtimi nëpër letërsi, dhe kjo formë imagjinare për të shpjeguar realitetin dhe të vërtetat, filozofinë e jetës në tërësinë e saj.

Ajo që më pikëllon shumë janë udhëtimi nëpër vendet shqiptare. Kudo ku shkon, ndalesh dhe kundron një natyrë të mrekullueshme, por nuk është lehtë të kalosh pranë këtyre bukurive dhe të mos shohësh thuajse asgjë të bukur nga dora e njeriut. Kjo t’i këputë dy këmbët.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Sigurisht se nuk mund të jetë një, por një vistër librash që më kanë shoqëruar gjatë jetës, prej përrallave të hershme e deri te librat aktualë. E në kujtesën time, Bibla, si vepër kapitale e njerëzimit- një rezervat i pafund kulturor, që ka ushtruar ndikim në krejt qytetërimin perëndimor, zë një vend të dukshëm dhe të pazëvendësueshëm. Sigurisht, janë edhe librat pa të cilat kultura e përbotshme dhe ajo shqiptare, do të ishte shumë më e varfër; librat klasikë që janë bekim për ne.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Pa dyshim, stërkeqja e një shoqërie zë fill atëherë kur dalin në shesh kriza shpirtërore, morale e identitare. Shoqëria jonë ka kohë që po vërtitet në hollinë e një krizë të tillë, dhe për pasojë, kemi humbur ndjesitë ndaj të bukurës, mirësisë,

mirëkuptimit e dashurisë. Kemi humbur besimin në çdo gjë dhe çdo kënd. Kjo ka bërë që te një pjesë e shoqërisë të ngjallen sentimente pro pushtuesve, që herë pas here shkojnë deri në adhurim. Për mua, kjo është absurde, përbuzje ndaj vetvetes dhe si përfundim marrëzi.

Përvoja ka dëftuar se krizat ma të këqija shoqërore janë ato të parashtruara në pyetjen tuaj. Sepse të gjitha krizat tjera, kanë prejardhjen te kjo krizë, e cila është një soj dergje. Parimi se një shoqëri që rrënohet shpirtërisht, e ka të vështirë të mëkëmbet, më tingëllon si një kambanë alarmi, sa herë që flitet për këto tema.

Ka më tepër se një dekadë prej kur shkruhet për krizë identiare e morale. Dhe kjo betejë kundër murtajës së gjuhës, ende vazhdon. Me mjetet të ndryshme. E për mua, në këtë situatë, letërsia është mburojë nga murtaja e gjuhës, siç thoshte Italio Calvini.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Ernest Koliqi, një nga mendjet më të ndritura shqiptare, dhe një njeri me merita të mëdha për Kosovën, në një artikull të botuar më 1960, teksa trajtonte pikënisjen e problematikës shqiptare, ndër të tjera shkruante: “Ne jemi të mendjes se sidomos kultura asht arma ma e përshtatun për t’ia thye hovin shkulmit të parimeve shkombëtarizuese qi mërzisin e molisin popullin e Shqipnis së mjerë.” Pa dyshim, është e mjerueshme jeta në vend ku të merresh me kulturë trajtohet si punë për “gjynah”. E për fat të keq, kështu trajtohet shpeshherë kultura te ne, sidomos letërsia.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Në planin historik, është një cikël i natyrshëm i zhvillimeve. Nëse e analizojmë dhe e matim me jetën tonë, atëherë jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve të mëdha: vendi ynë e fitoi lirinë e munguar me shekuj, por përçapjet kah lira e njëmend kanë ngecur keq.

Më pëlqen këtu të perifrazoj Shën Nënë Terezën, e cila thoshte se e djeshmja ka shkuar, e ardhmja nuk ka ardhë, prandaj e kemi vetëm të sotmen për të ndryshuar diçka. Po, e kemi të sotmen, për të analizuar edhe të djeshmen, por edhe për të projektuar të ardhmen.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Nga një mori e pafund veprash të mrekullueshme artistike në fushën e pikturës, poezisë, këngës, filmit, që ka prodhuar mendja njerëzore për gjatë shumë shekujve,

është e pamundur të veçosh një. Janë shumëfish nga një, ato vepra të bukura arti që na zbukurojnë jetën tonë, na lënë pa gjumë dhe na joshin përherë ka kuptime alternative për jetën, në totalitetin e saj. E një fuqi të tillë e ka vetëm arti.