EtnoFest nisë me vëllim të shtuar e me përkrahje të zvogëluar

Kultura August 19, 2016 - 08:22

EtnoFest edicioninin e këtij viti e nisë me logo të re, por me probleme të vjetra. Edhe pse në kuptimin sasior dhe cilësor këtë vit do të ketë rritje ky Festival, organizatorët e tij ankohen për përkrahje të vogël institucionale.

Në fshatin Kukaj, i cili ndodhet vetëm disa kilometra larg Prishtinës, dikur i braktisur nga banorët e tij, ka gjashtë vite që i është kthyer jeta, madje në një dimension krejt tjetër që përkon me bukuritë e këtij fshati.

Këtë fshat e bëri të gjallë regjisori Faddil Hysaj, duke ngritur në të një etnokompleks, i cili do të identifikohet me traditën tonë kulturore. I njohur si EtnoFest, ky Festival sivjet nisë edicionin e tij nga data 7 shtator dhe zgjatë deri më 11 shtator, për të promovuar traditën nëpërmjet krijimeve të ndryshme kulturore. EtnoFest është Festivali i vetëm i këtij lloji ndër ne që mëton të promovojë identitetin kulturor dhe artistik që ka të bëjë me traditën.

Ilaz Hysaj nga Këshilli Organizativ i Festivalit, thotë për Gazetën Zëri se përkundër këtyre qëllimeve të mira ky Festival po ballafaqohet me mungesën e përkrahjes institucionale.

“Në edicionet e para kemi pasur më shumë përkrahje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe në bazë të kësaj përkrahje na kanë mbështetur edhe Ministria e Diasporës dhe Bujqësisë për Agro Festin. Që nga viti i kaluar, kur EtnoFest u rrit në cilësi dhe vëllim me synonim që tabëjmë Festivalin ndërkombëtar, MKRS në mënyrë drastike na e zvogëloi buxhetin. Për këtë arsye edhe kemi pasur vështirësi ta mbajmë Festivalin. Meqenëse MKRS ka ulur interesimin ta mbështesë këtë Festival, ministritë e tjera nuk e kanë përkrahur fare nga logjika se nëse ministria adekuate nuk e sheh të rëndësishme, pse ato ta përkrahin. Për sivjet kemi vetëm një premtim prej 8.500 eurosh nga MKRS, por ende nuk është bërë kontratë e shkruar dhe s’kemi asnjë burim tjetër financimi për pesë ditë program me vëllim sa katër festivale”, tregon Hysaj.

Të njëjtin problem për mos pranimin e buxhetit të ndarë në periudhën kur bëhen përgatitet për Festival, nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e kanë shfaqur si shqetësim edhe organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar, DokuFest që përfundoi para pak ditësh në Prizren.

Rikujtojmë se shkurtimi apo përgjysmimi i buxhetit që iu bë festivaleve dhe organizimeve të tjera të pavarura kulturore nga ana e ministrisë përkatëse në fillim të vitit 2015 çoi në shuarjen e disa festivaleve siç janë, 8/11, Skena Up dhe në pezullimin, shtyrjen apo zvogëlimin e aktiviteteve siç ndodhi me Festivalin PriFest.

Sipas organizatorëve të festivalit EtnoFest, meqenëse një pjesë e mirë e artistëve iu kanë përshtatur kërkesave të tregut kjo ka ndikuar që kjo gjeneratë të mos dijë shumë mbi ritet tona të lashta, mbi mënyrën e bisedës dhe kuvendimit, mbi mënyrën tonë te gatimit dhe ushqimit, dhe të dinë shumë pak për vallet tona të bukura, rapsoditë e vjetra, lojërat e moçme me rregulla të veçanta, humorin e hollë dhe anekdotat brilante të popullit, të cilat së bashku krijojnë atë qe quhet identitet kombëtar i cili na dallon apo na ofron në disa pika me popujt dhe kulturat tjera.

EtnoFesti është krijuar në këtë frymë dhe është rritur në këtë frymë nga viti në vit, duke i ofruar kësaj popullate programe të pasura nga tradita, rite arkaike, kuvendime odash, ekspozita, promovime librash, pjesë teatrore, balet, koncerte klasike, performaca të ndryshme që rrallë shihen nëpër festivale tjera.

Dhe çuditërisht, në mënyrë të zhdrejtë, përkrahja institucionale është zvogëluar nga viti në vit duke e rrezikuar seriozisht mbajtjen e këtij festivali, vlerësojnë nga Këshilli Organizativ i Festivalit.

Megjithatë ata zotohen që ky edicioni i sivjetmë do të jetë në nivel edhe më të lartë se në vitet tjera. H

ysaj tregon për Gazetën Zërin se në këtë edicion programi përbëhet nga ekspozita etnografike, etno-koncerte, rite, shfaqje teatrore, promovime librash e debate odash. Nuk do të mungojnë as performancat epike me sharki dhe këngët e shahirëve për Mujin dhe Halilin.

Në kuadër të Etno Festit Zymer Neziri do të promovojë librin “Këngët kreshnike”.

Risi e këtij edicioni është programi i veçantë i kulinarisë shqiptare dhe asaj ilire, program të cilin do ta prezantojë njohësi i kulinarisë nga Shqipëria, Ahmer Dorsun.

Në kuadër të kuzhinës do të prezantohen procesi i gatimit të bukës me qerep, flisë, pekmezit e çorbës së dasmave.

Në Kukaj gjatë viteve të kaluara është ngritur një etno kompleks që ka hapësira për shfaqje teatrore dhe manifestime tjera artistike dhe kulturore. Janë adaptuar dy shtëpi të vjetra në të cilat tani mbahen shfaqje teatrore, ekspozita etnografike e figurative dhe ndeja tradicionale.

Gjithashtu, është ndërtuar një shtëpi për aktorë dhe në këtë hapësirë është edhe kompleksi për përgatitjen e ushqimeve tradicionale dhe shtëpia e muzeut etnografik.