Në Turqi të gjithë janë të frikësuar

Kultura July 26, 2016 - 09:00

Nobelisti turk Orhan Pamuk ashpër ka kritikuar qeverinë turke për shkak të ndjekjes së gazetarëve dhe shkurtimin e të drejtave të grave.

Shkrimtari më i madh turk Orhan Pamuk ka botuar romanin e tij të ri dhe pas një heshtjeje të gjatë ka folur ashtu siç ai di dhe mundet, pa zgjedhur shumë fjalët.

“Gjëja më e rëndë është se këtu në Turqi është e pranishme frika. E ndjej se të gjithë janë të frikësuar. Kjo nuk është normale. Liria e hulumtimit publik ka rënë në nivelin më të ulët të mundshëm”, ka thënë Orhan Pamuk, me rastin e botimit të romanit të tij të ri, i cili nga mesi i kësaj jave pritet të dalë nga shtypi dhe të jetë në raftet e librarive.

Nobelisti i vetëm turk, Orhan Pamuk, në prononcimin për gazetën e Stambollit “Hyrrijet”, ka akuzuar qeverinë turke se po i ndjek gazetarët dhe që në forma të ndryshme po i maltreton në rastet kur ata nuk i duartrokasin.

Nobelisti turk Orhan Pamuk ashpër ka kritikuar qeverinë turke për shkak të ndjekjes së gazetarëve dhe shkurtimin e të drejtave të grave. Shkrimtari më i madh turk Orhan Pamuk ka botuar romanin e tij të ri dhe pas një heshtjeje të gjatë ka folur ashtu siç ai di dhe mundet, pa zgjedhur shumë fjalët.

“Shumë miq të mi më thonë se ky apo ai gazetar ka humbur punën. Tash, për më keq, i janë nënshtruar maltretimit edhe ata gazetarë që janë shumë të afërt me qeverinë”, ka thënë nobelisti Orhan Pamuk, duke treguar për problemin që kohëve të fundit është shumë i pranishëm në Turqi, transmeton "Zëri".

Sipas shoqatave të medieve lokale dhe organizatave joqeveritare, në burgje për dënim presin 20 gazetarë, ndërsa kundër 150 gazetarëve të tjerë është hapur procedura gjyqësore e 400 gazetarë kanë humbur vendet e tyre të punës apo janë detyruar të japin dorëheqje.

Në mesin e tyre ka shumë sosh që janë emra të njohur të gazetarisë në Turqi. Në shënjestër janë vënë edhe rrjetet sociale, por edhe korrespodentët e medieve të mëdha nga bota, të cilat në botë dërgojnë “fotografi të rreme” për Turqinë.

Liria e shtypit tash është në nivelin më të ulët në disa dekada të fundit, thonë në shoqatat mediale.

Nobelisti Orhan Pamuk në intervistën për gazetën e Stambollit “Hyrrijet” ka kritikuar kryetarin Taip Erdogan edhe për shkak të deklaratës së tij se gratë dhe meshkujt për nga natyra nuk mund të jenë të njëjtë.

LEXO EDHE: Rame Lahaj fiton çmimin e “tretë” si tenori me i mirë

Nobelisti Orhan Pamuk, në prononcimin për gazetën e Stambollit “Hyrrijet”, ka kujtuar duke kritikuar deklaratën e kryetarit Taip Erdogan, i cili kohë më parë ka thënë se Zoti e ka rregulluar ashtu që ato (gratë) të lindin dhe të rrisin fëmijë. “Besimi ynë (Islami) e ka përcaktuar vendin e gruas në shoqëri. Këtë nuk mund t’ua shpjegojmë feministeve, sepse ato nuk e pranojnë këtë koncept”, ka thënë nga fundi i muajit të kaluar kryetari i Turqisë, Taip Erdogan. Kjo deklaratë e tij kishte ngjallur reagime të ashpra në vend dhe në botë.

Romani i tij më i ri është “Kafamda bir tahafik” (Diçka e huaj në kokën time). Këtë roman nobelisti turk Orhan Pamuk e ka shkruar, siç ka deklaruar në video-intervistë, këto gjashtë vitet e fundit. Ky është një tregim për Mevlutin, shitësin e bozës në rrugë, përkatësisht bozaxhiun e rrugëve, dashurisë së tij, pozitën e femrave, takimeve të përditshme me njerëzit, për dilemat të cilat sillen në kokën e tij. Në 480 faqe ai flet për ndryshimet, të cilat kanë ndodhur në Stamboll nga viti 1969 deri më 2014; zhvillimin e qytetit të tij të dashur, në të cilin për herë të parë ka qarë, për jetën e përditshme, për shprehitë e reja që krijon jeta e re...

Orhan Pamuk (62) në kohët e fundit gjithnjë e më pak prononcohet për medie (ndoshta jam plakur, thotë), por kur prononcohet, siç është rasti me romanin e tij më të ri, ai askënd nuk e lë indiferent.

Vitin e kaluar i përkrahu demonstruesit në sheshin Taksim të Stambollit, të cilët me ditë të tëra demonstruan duke kritikuar kryetarin e shtetit Taip Erdogan për shkak të “qeverisjes diktatoriale”.

“Problemi qëndron aty se Taip Erdogan po sillet si sundimtar i vjetër i viteve të tridhjeta të shekullit të kaluar. Ai i bën të gjitha, kontrollon gjithçka. Ai thotë se unë kam pas vetes 50 për qind të votave. Heshtni! Është e vërtetë se ka 50 për qind të votave, por ne kemi 72 milionë banorë, të cilët nuk janë të gjithë si ai (Erdogani)”, ka deklaruar atëherë nobelisti turk Orhan Pamuk.

Nobelisti turk, shkaku i deklaratave të tij, një kohë është detyruar të endet edhe nëpër gjykata, shkaku që hapur ka folur për atë që të tjerët nuk kanë guxuar të flasin. Kështu në mesin e decenies së kaluar ka qenë në bankën e të akuzuarve, kur një gazete zvicerane i pati deklaruar: “Në Turqi janë vrarë mbi 30000 kurdë dhe një milion armenë”. Kjo deri atëherë ishte temë tabu, ndaj nacionalistët menjëherë e kanë akuzuar se ka tradhtuar vendin. Ata ende nuk ia kanë falur këtë “faj”.

Mu për këtë Turqia u gjend në shënjestër të kritikave të ashpra në botë, ndaj edhe procesi gjyqësor kundër Orhan Pamukut u ndërpre “shkaku i lëshimeve procedurale”. Kështu u shmang skandali ngaqë Orhan Pamuk tashmë ishte kandidat për të fituar çmimin Nobel për Letërsi, të cilin edhe e fitoi më 2006. /ZËRI/