Ish-ministri Rexhep Osmani shoqërohet në Polici, dyshohet se ngacmoi seksualisht një studente
Ish ministri, i Arsimit, Rexhep Osmani, tashmë ligjërues në fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës gjatë ditës së djeshme dyshohet se është përfshirë në një përleshje fizike.
Gazeta Fjala merr vesh nga burime brenda universitetit se deri te kjo përleshje ka ardhur si pasojë e kushtëzimit të notës me favore seksuale që profesori i kishte bërë një studenteje.
Sipas këtyre informatave studentja ka qenë e martuar, dhe menjëherë e ka lajmëruar bashkëshortin e saj lidhur me ngjarjen. Burri i saj ka shkuar në zyrë te profesorit për t’i ‘qëruar’ personalisht hesapet me profesorin Rexhep Osmani.
Gazeta Fjala ka kontaktuar rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Zëdhënësi i UP-së, Afrim Hoti ka thënë për gazetën së janë të njoftuar me rastin dhe se tashmë po presin raportet zyrtare.
“Po e presim raportin nga policia, fakulteti dhe profesori, i cili e shpjegon tërë ngjarjen. Rektori do ta jap vendimin e tij”, ka thënë Hoti.
Gazeta ka provuar të kontaktoj edhe me profesorin Osmani, mirëpo telefoni i tij ka qenë jashtë funksionit.
Lidhur me rastin është e njoftuar edhe policia e Kosovës. PK në raportin e saj thotë se i dyshuari tashmë është shoqëruar në polici, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.
“Viktima femër K-Shqiptare ka raportuar se i dyshuari mashkull K-Shqiptar e ka ngacmuar seksualisht. Viktima nuk ka pësuar lëndime trupore. I dyshuari pas intervistës me urdhër të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.
Gazeta Fjala po ashtu ka kontaktuar edhe me fakultetin e Edukimit. Por këta të fundit nuk kanë qenë të gatshëm të flasin për këtë gjë./GazetaFjala/