Numri i aksidenteve rrugore në Kosovë, brengosës

Kronika March 31, 2016 - 19:33

Ministria e Infrastrukturës ka organizuar sot tryezën e rrumbullakët të titulluar “Gjendja e sigurisë rrugore në Kosovë dhe sfidat e saj në të ardhmen”, ku u tha se numri i aksidenteve rrugore që po ndodhin në Kosovë është brengosëse.

Me këtë rast, zëvendësministri në Ministrinë e Infrastrukturës, Fehmi Mujota theksoi se përkundër përpjekjeve të mëdha të institucioneve relevante përgjegjëse dhe përkundër angazhimeve të mëdha për të pasur legjislacion konform standardeve evropiane dhe përmirësimit thelbësor të infrastrukturës rrugore, investimeve të mëdha që janë bërë në ndërtimin e rrugëve si dhe masave të ndërmarra, megjithatë ende ekziston një sfidë jo e vogël për zvogëlimin e aksidenteve rrugore.

“Numri i aksidenteve që po ndodhin në rrugët tona është brengosëse, andaj kërkon një angazhim dhe përgjegjësi në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive si dhe një ndërveprim shumë më të fuqishëm të të gjitha institucioneve për të parandaluar këtë të keqe dhe për të arritur shkallën më të ulët të aksidenteve”, ka thënë Mujota.

Sipas Mujotës, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e veta, sipas legjislacionit në fuqi, duke e aprovuar strategjinë për sigurinë në komunikacionin rrugor, për periudhën 2016-2020, si dhe planin e veprimit 2016-2018.

“Kjo strategji i obligon të gjitha institucionet për zbatimin e saj, dhe nëse ne arrijmë bashkëpunimin në kuptimin e plotë, besoj se do të arrijmë sigurinë në komunikacion”, ka thënë zëvendësministri Mujota.

Ndërsa, Sheremet Ahmeti, nga Policia e Kosovës, pohoi se ky takim ka një rëndësi të veçantë për shkak se siguria rrugore nuk është e kënaqshme.

Sipas tij, Policia e Kosovës për të arritur në një siguri më të mirë, ka përgatitur 178 plane të veçanta, të cilat i ka praktikuar në terren me të gjitha njësitë e policisë, konkretisht në trafikun rrugor.

“Policia vazhdimisht ka raportuar dhe ka kërkuar nga institucionet vendore, për shenjëzimin e rrugëve në pjesët ku kanë qenë më të rrezikshme. Konsideroj se së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës, mund të bëjmë më shumë dhe t’i evitojmë këto pjesë të rrezikshme të cilat mund të jenë shkaktarë të sigurisë rrugore”, ka thënë ai.

“Edhe përmes mediave po bëjmë përpjekje të vazhdueshme që t’i njoftojmë qytetarët për rritjen e vetëdijes rreth pjesëmarrjes në trafik. Për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këtë vit kemi pasur rritje të numrit të aksidenteve për 8.72 për qind, ndërsa numri i të aksidentuarve me fatalitet është rritur këtë vit për 1.57 për qind. Krahasuar me vendit e rajonit, kjo përqindje në vendin tonë për 1 milionë banorë është 6.8 për qind, është më mirë se vendet tjera dhe kjo përqindje është më e vogël, por duhet punuar maksimalisht që të rritet siguria rrugore. Kjo përqindje në Serbi është 7.7 për qind, Maqedonia me 9.4, Mali i Zi me 11.9, Shqipëria me 15.1, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina me 17.7 për qind. Ndërsa, nëse këto të dhëna me shtetet e Bashkimit Evropian, ne jemi më mirë se sa Kroacia, Lituania, Bullgaria etj. “

Në këtë tryezë u vendos që të rritet bashkëpunimi në mes të të gjitha institucioneve, duke filluar nga edukimi i të rinjve, rritja e përgatitjes së shoferëve të rinj, vendosja e shenjave të trafikut nëpër pjesët e caktuar ku rrezikohet siguria e qytetarëve, rritja e kontrollimit teknik të automjeteve, përgatitja e materialeve dhe spoteve për të vetëdijesuar qytetarët dhe nxënësit e shkollav.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, OSBE-së, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universitetit të Prishtinës-Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, EULEX-it, Gjykatave, Kolegjit “Tempulli “-AMKRS-ja, përfaqësues të komunës së Shtimes, Ministrisë së Drejtësisë, institutit GAP, shoqatave të sigurimeve të Kosovës dhe të tjerë. /KosovaPress/