Tre të arrestuar dhe katër të lënduar në protestën kundër devijimit të rrugës Prishtinë - Pejë

Tre të arrestuar dhe katër të lënduar në protestën kundër devijimit të rrugës Prishtinë - Pejë

Kronika April 22, 2024 - 12:09

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka arrestuar tre persona në protestën në fshatin Gjorgjevik i Madh, pasi kanë penguar punimet për rrugën Prishtinë – Pejë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka thënë për Infokus se në protestë kanë qenë diku afër 25 qytetarë dhe tre janë arrestuar, pasi kanë qëndruar përballë makinerive, duke ua bllokuar punën punëtorëve.

“Sot rreth orës 09:40 janë arrestuar tre persona, pasi kanë penguar punimet në rrugën Prishtinë – Pejë, duke qëndruar përballë makinerive. Në këtë protestë janë mbledhur diku rreth 25 persona, të cilët kanë penguar procesin e punës”, ka thënë Rugova.

Derisa një protestues (emër i njohur për redaksinë), ka thënë se 4 persona janë lënduar gjatë kësaj proteste dhe përballjes me policinë.

Ai ka thënë se është e vërtetë se kanë provuar t’i bllokojnë punimet dhe kanë hasur në rezistencë nga policia e Kosovës, të cilët sipas tij kanë thirrur përforcime edhe nga stacioni qendror i Policisë në Pejë.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që qytetarët e tri fshatrave janë duke protestuar për mosdevijimin e kësaj rruge, duke i kërkuar Qeverisë që të mos ua mbyllë bizneset. /Gazeta Infokus