Keqpërdorimi me subvencionet në Istog, aktakuzë ndaj 18 personave
Foto: Laura Hasani

Keqpërdorimi me subvencionet në Istog, aktakuzë ndaj 18 personave

Kronika April 18, 2024 - 16:05

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur sot aktakuzë kundër tetëmbëdhjetë (18) personave, për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit, për subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë në komunën e Istogut.

Sipas prokurorisë, 11 persona janë persona zyrtarë dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ”Marrje e ryshfetit” dhe “Mashtrimi në detyrë”, raporton Zeri.info.

Bëhet e ditur se 7 personat e tjerë janë fermerë ndaj të cilëve është ngritur aktakuza për vepra penale “Mashtrim me subvencione”.

“Vlera e përfituar nga vepra penale marrje e ryshfetit sipas aktakuzës është rreth shtatëmbëdhjetë (17.000) euro, kurse dëmi i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës është rreth njëqindmijë (100.000) euro.

Prokuroria në aktakuzë ka rekomanduar konfiskimin e një banesa dhe rreth 20.000€ para të gatshme, shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihet në barrë. /Zëri