Vrasja në Prishtinë, Prokuroria jep detaje për ngjarjen

Vrasja në Prishtinë, Prokuroria jep detaje për ngjarjen

Kronika March 27, 2024 - 11:08

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e mbrëmshme në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë.

Sipas Prokurorisë, një person ka mbetur i vrarë, ndërsa tre tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.

“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitet relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore në vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve preliminare, dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri është vrarë një person, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Të plagosurit janë duke marrë trajtim mjekësor, teksa njëri prej tyre e ka gjendjen më të rëndë shëndetësore.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale, të cilat do të shërbejnë në procedurën penale, po ashtu po zhvillohen hetime për arrestimin e të dyshuarve.

“Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, derisa në koordinim me policinë po zhvillohen hetime për arrestimin e të dyshuarve dhe sigurimit të prezencës së të njëjtëve në procedurën penale”, thuhet tutje në përgjigje.

Ndryshe, në raportin 24-orësh të policisë raportohet se nga ky rast ka mbetur një i vrarë dhe një i plagosur.

Gruaja që mbeti e plagosur është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ajo po trajtohet në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, mbrëmë tha për Dukagjinin se ekipet e Kirurgjisë Vaskulare dhe të Anesteziologjisë janë duke e trajtuar atë në sallë të operacionit.