Asnjë i dyshuar edhe pas 10 muajve të vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Kronika October 09, 2018 - 08:56
DETAJET
Image

Është bërë rreth një vit qëkur kreu i Iniciativës Qytetare Serbe (SDP), Oliver Ivanoviq, është qëlluar për vdekje, mirëpo organet e hetuesisë ende nuk kanë identifikuar asnjë të dyshuar. As intervistimi i malazezit Mario Milosheviq nuk ka arritur të sigurojë asnjë provë që do të mundësonte zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit. Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se organet e hetuesisë së Serbisë nuk po japin informatat që i disponojnë, shkruan sot gazeta "Zëri". 

Janë bërë dhjetë muaj qëkur kreu i Iniciativës Qytetare Serbe (SDP), Oliver Ivanoviq, ishte qëlluar për vdekje derisa po shkonte në zyrën e tij në Mitrovicë, mirëpo organet e hetuesisë ende nuk kanë identifikuar asnjë të dyshuar. As intervistimi i shtetasit malazez i arrestuar në muajin korrik në Prishtinë, Mario Milosheviq, nuk ka ndihmuar Prokurorinë Speciale të Kosovës në identifikimin e ndonjë të dyshuari që do të dërgonte në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit. Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka pohuar për “Zërin” se intervistimi i Mario Milosheviqit nuk ka nxjerrë asnjë provë, e cila do të ndihmonte në grumbullimin e provave për zbardhjen e këtij rasti.

“Në kuadër të grumbullimit të provave kemi intervistuar edhe Mario Milosheviqin, mirëpo për momentin nuk kemi prova më shumë, është marrë edhe Prokuroria Speciale më këtë rast. Me autorizim të Prokurorisë Speciale ai është intervistuar nga hetuesit, mirëpo nuk ka rezultuar diçka konkrete, tash shohim në të ardhmen. Për momentin nuk kemi prova, s’ka dalë diçka konkrete që do të na mundësonte të merreshim me to”, është shprehur Hoxha.

 Asgjë konkrete deri më tash
Prokurori Hoxha ka thënë se Mario Milosheviq është intervistuar në kuadër të grumbullimit të provave dhe jo si i pandehur. Ai ka shtuar se tash për tash Prokuroria Speciale nuk ka asgjë konkrete rreth hetimeve të këtij rasti dhe se ende nuk ka identifikuar asnjë të dyshuar për përfshirje të mundshme në këtë rast. Vështirësitë për zbardhjen e këtij rasti, sipas prokurorit special Sylë Hoxha, po rriten si pasoj e mosbashkëpunimit të autoriteteve serbe me ato kosovare. Hoxha pohoi se organet e hetuesisë së Serbisë nuk po i japin informatat që i disponojnë.

“E kemi njëfarë bashkëpunimi, por s’jemi të kënaqur me rezultatin e bashkëpunimit. Ne komunikojmë përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, Policia ka pasur disa takime, jemi takuar e komunikojmë, mirëpo nuk jemi të kënaqur me bashkëpunimin. S’po na i japin të dhënat, të cilat i disponojnë”, ka thënë prokurori Hoxha.                                                                 

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe autoritetet serbe për të marrë një përgjigje rreth kësaj çështjeje, mirëpo zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë nuk ka dhënë asnjë sqarim për këtë rast. 
Islami: Serbia qëllimisht nuk jep informata 
Në anën tjetër, njohës të çështjeve të sigurisë pohojnë se vrasjet politike, siç është në këtë rast edhe vrasja e Oliver Ivanoviqit, kur kryhen nga strukturat e një shteti ose nuk zbardhen kurrë, ose zbardhen pas 50 vjetëve, atëherë kur humb i gjithë kuptimi i çështjes.                                     Profesori i shkencave të sigurisë në Universitetin e Prishtinës, Avni Islami, pohon se në vrasjen e Ivanoviqit shqiptarët nuk kanë dorë dhe vrasja e tij nuk ishte në interes të shqiptarëve. Islami thotë se kjo vrasje është kryer nga strukturat e larta të shtetit të Serbisë dhe për këtë autoritetet e këtij shteti asnjëherë nuk do të japin dëshmi të sakta që do të ndihmonin zbardhjen e rastit edhe nëse kanë prova.

Sipas tij, me vetë faktin se në vendin ku është kryer vrasja ishin të vendosura kamerat e sigurisë dhe asnjë gjurmë nuk ka mbetur qoftë në vendin e ngjarjes ose në ikje e sipër të të dyshuarve, kjo vrasje është bërë në mënyrë të organizuar dhe profesionale të shtetit serb. “Mendoj se shteti i Serbisë, qoftë prokuroria ose policia, asnjëherë nuk do të japin informata ose prova se kush e ka kryer vrasjen e tij. Edhe nëse eventualisht autoritetet e Serbisë bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës, asnjëherë nuk do t’i dërgojnë drejt zbardhjes së rastit, por do t’i dezorientojnë në mënyrë sa më të madhe që të mos zbardhet kjo vrasje”, ka thënë Islami.                                                                                                                                                Ndërkohë, Mario Milosheviq ishte arrestuar bashkë me tre të dyshuar të tjerë, një malazez, një serb dhe një kosovar, më 18 korrik nga Policia e Kosovës. Arrestimi i tyre ishte bërë gjatë një operacioni policor të zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera. Milosheviq ka urdhër arrest ndërkombëtar në INTERPOL nga shteti i Malit të Zi nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të shkallës së parë së për “Vrasje”.                                                                                                                       Ndryshe, Ivanoviq ishte qëlluar me armë zjarri derisa po shkonte në zyrën e tij mëngjesin e 16 janarit të këtij viti. Disa ditë më vonë organet e hetuesisë kishin gjetur një veturë të djegur në Zveçan, e cila dyshohet të jetë përdorur nga të dyshuarit gjatë kryerjes së vrasjes së Ivanoviqit. Ndërkohë, para këtij sulmi ndaj Ivanovicit ishte bërë edhe një atentat tjetër në muajin korrik të vitit 2017, ku vetura e tij ishte përfshirë nga zjarri në Mitrovicë.