Vrasja në Deçan, policia jep detajet e fundit

Kronika September 23, 2018 - 15:13
Lexo detajet

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka konfirmuar se ka arrestuar një 18-vjeçar të dyshuar për vrasjen e rëndë në qytetin e Deçanit ku si pasojë ka mbetur i vdekur A.T, 29-vjeçar, transmeton “Zëri.info”.

Sipas policisë viktima si pasojë e plagëve të marra në spitalin Rajonal të Pejës ka mbërritur pa shenja jete.

I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar për 48 orë në mbajtje ndërsa viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Njoftimi i plotë i policisë:

Sot me datën 23 shtator 2018 rreth orës 11:10, Policia e Kosovës është njoftuar se në rr. “Luan Haradinaj” në Deçan ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.

Policia e Kosovës i është përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes dhe ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes ku kishte ndodhur rasti.

Viktima A.T. (1989) fillimisht është dërguar ne QMF-Deçan por si pasoj e plagëve të rënda i njëjti është dërguar në spitalin rajonal në Pejë, sipas ekipit mjekësor viktima ka arritur pa shenja jete në spitalin rajonal në Pejë.

Policia e Kosovës, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e shtetit, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operativo-hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat për kryerjen e veprës penale ‘vrasje ’.

Personi i dyshuar SH.G. (2000) është arrestuar dhe me vendim te prokurorit te shtetit është dërguar në ndalim policor prej 48 orësh për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme ligjore.

Me urdhër të prokurorit të shtetit viktima dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. /ZËRI