Policia dhe Prokuroria thonë se Valbona Nrecaj nuk pranoi strehim

Kronika August 11, 2018 - 07:58
Lexo detajet

Përmes një konference të jashtëzakonshme Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore e Gjakovës kanë thënë se nuk e kanë neglizhuar rastin e tashmë të ndjerës Valbona Marku-Nrecajt dhe të vajzës, të cilat janë vrarë të martën mbrëma. Derisa tregon se tashmë e ndjera Valbona bashkë me dy vëllezërit e saj ditën kritike rreth orës 16:00 kishte shkuar në Stacionin Rajonal në Gjakovë për të lajmëruar kërcënimin që kishte marrë nga ish-bashkëshorti Pjetër Nrecaj, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Gjakovë, Ahmet Hasi, pohon se e ndjera nuk kishte kërkuar mbrojtje ose strehim, por vetëm kishte paraqitur rastin e kërcënimit, shkruan "Gazeta Zëri".

Hasi bën të ditur se Policia pasi kishte pranuar ankesën për kërcënim nga tashmë viktima kishte hapur rastin si “Kanosje” dhe menjëherë kishte filluar kërkimin e të dyshuarit Pjetër Nrecaj, të cilin e kishte kontaktuar edhe në telefon. “Në rastin konkret viktima ka ardhur në Polici rreth orës 15:30 dhe e ka bërë ankesën, mirëpo shqetësimi i saj nuk ka qenë i drejtuar tek ajo, por te familja e saj. Nuk ka kërkuar që dikush t’i bëjë ndonjë siguri ose strehim, prandaj ne menjëherë e kemi hapur rastin e kërcënimit dhe kemi ndërmarrë të gjitha masat operative që të arrestojmë të dyshuarin, kemi provuar në disa lokacione, mirëpo koha ka qenë shumë e shkurtër dhe nuk kemi pasur sukses”, është shprehur Hasi.

Sipas Hasit, në momentin e arrestimit të të dyshuarit, ai kishte lëndime serioze në kokë. Ai ka pohuar në natën kur kishte shkuar për ta kryer krimin, i dyshuari ishte vetëm, nuk kishte ndonjë person tjetër me vete.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Armend Zenelaj, ka pohuar se Prokuroria i trajton me seriozitet të gjitha rastet, sidomos ato të dhunës në familje. “Prokuroria të gjitha rastet për të cilat njoftohet nga zyrtarët policorë i trajton me seriozitetin më të madh, aq më tepër prioritet u jepet rasteve të dhunës në familje.”, ka thënë prokurori Zenelaj

Mbrojtësi i viktimave nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Agim Pula, ka pohuar se Valbonës i ishte ofruar strehim nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, mirëpo ajo kishte refuzuar. Kjo ndihmë, sipas tij, i ishte ofruar në maj kur ajo kishte paraqitur rastin në Polici. Mirëpo sipas tij, ajo kishte pohuar se ndihet mjaft e sigurt në shtëpinë e vëllezërve të saj. “Ajo çka është e rëndësishme është se viktimës i ishte ofruar edhe strehim, mirëpo ajo nuk ka pranuar, pasi ka thënë se do të strehohet te familjarët e saj në fshatin Brekoc. Po të njëjtën ditë e kemi marrë edhe një deklaratë shtesë nga vëllai i saj, i cili po ashtu është deklaruar se do t’i marrë në mbikëqyrje motrën dhe fëmijët e saj. Sa i përket anës së mbrojtësit të viktimave, ne i kemi ofruar të gjithë ndihmën që ka kërkuar viktima ”, ka thënë Pula.

Gjatë  ditës së premte Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe të vajzës së tij. 

40-vjeçarja Valbona Marku-Nrecaj dhe vajza e saj 9-vjeçare janë qëlluar për vdekje të martën rreth orës 21:00, në fshatin Brekoc të Gjakovës, konkretisht në shtëpinë e vëllezërve të të ndjerës.