Rritet numri i të miturve që kryejnë vepra penale

Kronika July 06, 2018 - 07:54
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Vetëm në periudhën gjashtëmujore të këtij viti nëpër qendrat korrektuese janë dërguar 51 të mitur, 48 prej tyre të paraburgosur, 2 me masë edukative dhe një i dënuar. Sociologët dhe mjekët psikiatrikë janë të shqetësuar për rritjen e numrit të të miturve të përfshirë në veprat penale, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Numri i të miturve të përfshirë në vepra penale dhe në vepra të tjera ka shënuar rritje. Vetëm në vitin 2017 nga gjykatat themelore të Kosovës janë dënuar mbi 700 persona të mitur për vepra të ndryshme penale.

LEXO EDHE: Pas bllokadës njëmujore të Kushtetueses sot votohen gjykatësit

Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, e cila ka paraqitur pasqyrën vjetore për të dënuarit sipas gjinisë dhe sipas grupmoshës, del që numri i të miturve të dënuar nga gjykatat është rritur i krahasuar me vitin 2015 dhe me vitin 2016.

Janë 766 të mitur ku përfshihen të rinjtë nga mosha 14 deri në 18-vjeçare të cilët janë dënuar në vitin 2017 nga gjykatat.

Numri më i madh i të miturve i takon gjinisë mashkullore dhe nga 766 sa ishin gjithsej,  40 prej tyre janë femra dhe 726 meshkuj.

SHKK: Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti 48 të mitur janë të paraburgosur

Në anën tjetër të dhënat e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) rreth numrit të të miturve nëpër qendrat korrektuese gjatë mujorit të parë të këtij viti tregojnë se mbi 50 të mitur janë dërguar në këto qendra. 

Zëdhënësi i SHKK-së Jeton Kabashi ka pohuar se 48 prej tyre janë të paraburgosur.

“Në gjashtë  muajt e parë të vitit 2018 kemi pranuar gjithsej 51 të mitur, 48 prej tyre të mitur të paraburgosur, 2 të mitur me masë edukative,  si dhe 1 të mitur të dënuar”, është shprehur Kabashi. 

Gjendja momentale e të miturve në Qendrën Korrektuese në Lipjan, sipas tij, është me 6 të mitur të dënuar, 1 femër e mitur e dënuar, 13 të mitur me masë edukative, si dhe 11 të mitur të paraburgosur.

Veprat për të cilat këta të mitur po mbahen në këto qendra korrektuese nisin nga më e rënda që janë: “Vrasje e rëndë”, “Vrasje”, “Vjedhje e rëndë”, “Vjedhje”, “Grabitje”, “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Lëndim i rëndë trupor”. 

Në vitin 2016 sipas SHKK-së, numri total i të miturve të pranuar në qendra korrektuese ka arritur në 111. Prej tyre 78 të mitur të paraburgosur, 4 të dënuar, 26 me masë edukative dhe 3 femra të mitura të paraburgosura. 

Ndërsa në vitin 2017 totali të miturve të pranuar në qendra korrektuese ka qenë 90. Prej tyre 68 të paraburgosur, 2 të mitur të dënuar dhe 2 të mitur me masë edukative.  Kjo shifër e të miturve të dënuar është shqetësuese për neuropsikiatrit.

Ata thonë se kriza ekonomike, politike e sociale në Kosovë ka ndikuar edhe në shëndetin mendor, duke ndikuar në rritje të numrit të veprave penale nga të miturit.

Ulaj: E domosdoshme rritja e numrit të psikologëve dhe të sociologëve nëpër shkolla

Specialisti i neuropsikiatrisë, doktor Jusuf Ulaj, ka thënë për “Zërin” se shumica e këtyre rasteve kanë edhe vartësi nga substancat e ndryshme psikotrope.

“Për shkak të situatës së përgjithshme në Kosovë, krizës ekonomike, politike dhe sociale kemi rritjen e të gjitha patologjive, duke përfshirë edhe ato të shëndetit mendor. Të dhënat statistikore të dënimeve për vepra penale të të miturve është dëshmi se kjo ka reflektuar edhe te kjo grupmoshë. Sjelljet delikuente te të miturit janë simptoma të çrregullimit mendor që manifestohen me impulsivitet dhe agresivitet e që shpeshherë është i pakontrolluar. Shumica e këtyre rasteve kanë edhe vartësi nga substancat e ndryshme psikotrope”, ka thënë neuropsikiatri Ulaj. 

Një nga rolet kryesore në rritjen e numrit të të miturve të përfshirë në vepra penale, sipas tij,  është edhe familja.

“Familja në Kosovë është në krizë, disa për shkak të krizës socio-ekonomike e disa për shkak ‘të angazhimeve të shumta në biznes e në politikë’. Në të dyja rastet fëmijët janë ata që pësojnë më së shumti. Mungesa e përkujdesjes dhe e edukimit nga familja lënë hapësirë që fëmija t’i nënshtrohet rrugës dhe pasojat që i sjell ajo. Rritja e numrit të fëmijëve që përdorin substanca narkotike nëpër shkolla është indikator i mangësive në edukimin shkollor dhe dtë efekteve serioze në sistemin e sigurisë dhe të kontrollit që duhet ta ketë shteti në këtë drejtim. Afër shkollave kemi bastore dhe defilim të trafikantëve të ndryshëm”, është shprehur Ulaj. 

Për eliminimin e këtyre rasteve ai e sheh si të domosdoshme që në kuadër të sistemit arsimor të  futen lëndë për edukimin shëndetësor, ku fëmijët mësojnë më shumë për vetë kujdesin, ushqimin, mirësjelljen, solidaritetin, substancat psikotrope (drogat) dhe për menaxhimin e stresit.

Të domosdoshme specialisti i neuropsikiatrisë e sheh rritjen e numrit të psikologëve dhe të sociologëve nëpër shkolla.

Ulaj shprehet se është e nevojshme edhe organizimi i trajnimeve për menaxhimin e stresit për të gjithë punëtorët arsimorë në të gjitha nivelet, duke pasur parasysh që ka numër të konsiderueshëm të punëtorëve të arsimit të cilët nuk kanë njohuri elementare pedagogjike e lëre më se si duhet menaxhuar një fëmijë që ka sjellje devijuese.

Ai pohon se Policia duhet t’i vizitojë më shumë shkollat.

“Patjetër duhet të shtohet numri i policëve pa uniformë që vizitojnë të gjitha shkollat dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me udhëheqësit e shkollave në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të largojmë mundësinë e blerjes së drogave në oborrin e shkollës. Puna multidisiplinore dhe edukimi adekuat janë garanci e suksesit”, është shprehur Ulaj.

Hasani: Kjo është tragjike për një shtet të ri, për një shoqëri

Në anën tjetër sociologët e quajnë alarmante rritjen e të miturve të dënuar për vepra penale. 

Sociologu Shaip Hasani thotë se edukimi i dobët është një nga fenomenet që kanë ndikuar te devijimi i të miturve.

Edhe sociologu njëjtë si specialisti i neuropsikiatrisë pohon se edhe familja ka rol kryesor te përfshirja e të miturve në vepra të tilla.

“Këto statistika janë alarmante. Për numrin e të miturve që përfshihen në vepra të pahijshme faktor kryesor që vijnë deri te këto pikërisht është edukimi i dobët. Në syrin më kritik të mundshëm për këtë është familja që më së paku merret me këtë proces dhe me fëmijët e tyre, edhe pse një pjesë e mirë e familjeve për shkak të varfërisë së madhe u ngushtohet hapësira e madhe të merren me fëmijët e tyre”, ka thënë Hasani.

Ai fajëson edhe institucionet, të cilat shumë pak bëjnë për këtë shoqëri e sidomos për të rinjtë. Hasani i bindur thotë se kjo shkallë e rritjes së veprave penale nga të miturit ende do të shkojë në rritje e sipër.

Kjo sipas tij është tragjike për një shtet të ri dhe për një shoqëri.

“A ka gjë më të tmerrshme sot në Kosovën e lirë kur kryeministri vjen sikur në bahçe të babës, i rrit pagat për vete, popullsia vuan dhe vetëm këtë element ta shikojmë sa në vetëdije e rrit edhe te fëmija procesin e padrejtë që krijohet në raport me shtresa të ndryshme shoqërore”, pohoi ai.