Lirohen nga aktakuzat katër imamët dhe Fuad Ramiqi

Kronika May 18, 2018 - 15:40
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga të gjitha aktakuzat pesë të akuzuarit për përfshirje në veprat e ndryshme terroriste, raporton “Zëri.info”.

Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili tha se Imamët Enes Goga, Bedri Robaj, Mazllam Mazllami dhe Idriz Bilibani, lirohen nga të gjitha akuzat për mungesë të provave.

LEXO EDHE: Sot aktgjykimi për katër imamët dhe Fuad Ramiqin

Katër imamët dhe ish-kreu i LISBA-së akuzoheshin për shtytje të personave të pacaktuar që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste “Al-Nusra”, përcjellje të mesazheve shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste, nxitje e urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë,  nxitje urrejtje dhe mos durim ndaj grupit të komunitetit LGBTI si dhe thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë, raporton tutje "Zëri.info".

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale  imami Bedri Robaj akuzohet se që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam dhe gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur “xhihadin-shehidllëkun në Siri”. I njëjti akuzohet për shtytje të personave të pacaktuar që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste “Al-Nusra”.

Idriz Bilibani, akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami-OJQ-në “El Bejan” dhe paraqitjet tjera publike të incizuara në video ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, aktakuza pretendon se Enes Goga në pozitën e imamit në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në këtë qytet, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në youtube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Mazllam Mazllami, akuzohet se si imam i xhamisë “Jeni Mahalla” në Prizren, gjatë predikimit të tij dhe në paraqitje publike ka nxitur dhe përkrahur publikisht urrejtje dhe mos durim ndaj grupit të komunitetit LGBTI.

Fuad Ramiqi, akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit në televizione, gazeta dhe rrjete sociale ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë./Zëri

Image

Image

Image

Image