Kronika

Lirohet serbi i akuzuar për vrasjen e 4 shqiptarëve gjatë luftës

Lirohet serbi i akuzuar për vrasjen e 4 shqiptarëve gjatë luftës
16 maj 2018 • 16 : 07

Lexo detajet

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka liruar të akuzuarin për krime të luftës, Zoran Vukotiq nga akuza për vrasjen e 4 shqiptarëve, për të cilët akuzohej nga prokuroria Speciale e Kosovës.

Aktgjykimin e kësaj pike të akuzës e shpalli të mërkurën në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, kryetari i trupit gjykues, Darius Silicki.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria Speciale, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Në lidhje me këto akuza Vukotiq ishte deklaruar i pafajshëm në gusht të vitit që shkoi.

© zëri.info